75 Mall Live Search
15:03 / E Enjte, 13 Nëntor 2025 / MSH

Medicom reagon pas ndërprerjes së kontratës për furnizim me materiale për dializë

Tash e disa ditë u pretendua se ka mungesë të materialeve të nevojshme, për shërbimet e dializës.

Përmes një njoftimi zyrtar dy ditë më parë, nga SHSKUK-ja deklaruan se janë në pritje të realizimit të kontratave për furnizim me materiale, shkruan IndeksOnline.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, sërish duke mohuar mungesën e materialeve, Shërbimi Spitalor deklaroi se shërbimet e dializës nuk janë ndalur dhe se pacientët po e marrin trajtimin e tyre të rregullt, në QKUK, por edhe spitalet e përgjithshme.

“Për momentin, ka material të mjaftueshëm për zhvillimin e seancave dhe nuk ka pasur asnjë vonesë në ofrimin e shërbimeve. SHSKUK, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që furnizimi të stabilizohet plotësisht”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

Nga ana tjetër, kompania Medicom ka deklaruar se dy ditë më parë, më 11 nëntor, pranoi vendimin e SHSKUK-së për ndërprerje të kontratës kornizë për furnizim me material për dializë.

“Medicom beson se ndërprerja e kontratës për materiale të dializës nga SHSKUK-ja është tërësisht e paligjshme dhe ka qenë e ndikuar nga intereset biznesore, të cilat dëshmohen nga komunikimet e brendshme të cilat vet SHSKUK-ja i ka bashkëngjitur vendimit për ndërprerjen e kontratës. Për këtë arsye, ne si Medicom do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga këto vendime të paligjshme” deklaroi Medicom.

Kompania në fjalë ka deklaruar se në dy tenderët emergjentë, me datë 31 tetor dhe 6 nëntor, kanë ofertuar tender shumë më të lirë në krahasim me kompaninë tjetër konkurruese.

“Menjëherë pas nënshkrimit të Kontratës ditën e premte me 7 Nëntor, Medicom ka pranuar urdhër blerjen në orën 13:30 dhe ka bërë furnizimin e rregullt me bikarbonat për atë ditë. Produktet tjera janë shpërndarë në të gjitha qendrat e dializës në Kosovë ditën e hënë (duke liferuar 25% të urdhër blerjes e cila e eviton emergjencën dhe mundëson funksionimin për rreth 10 ditë, me dërgesat shtesë veçse në rrugë, të konfirmuara për mbërritje në Prishtinë pas 3 dite)” deklaron Medicom.

Medicom pretendon se ka njoftuar SHSKUK-në për furnizim në të gjitha qendrat e dializës, me material të mjaftueshëm për rreth 10 ditë.

“Pak orë pas pranimit të këtij e-mail dhe njoftimit nga Medicom, SHSKUK-ja menjëherë e dërgon vendimin për ndërprerjen e kontratës. Si duket, qëllimi është të rikthehen materialet e Medi Health me çmime abuzive, dhe duhej parandaluar Medicom që të përmbushte të gjitha furnizimet” deklaron Medicom.

Nga kjo kompani thonë se vendimi i SHSKUK-së tregon ndikim të paligjshëm biznesor dhe se ndërmarrja e masave ndaj tyre janë jashtë rregullave dhe kompetencave të drejtorit të Shërbimit Spitalor.