Shënohet Dita Botërore e Diabetit
Çdo 14 nëntor shënohet Dita Botërore e Diabetit.
Diabeti Melit është një grup sëmundjesh që ndikojnë në mënyrën se si trupi përdor sheqerin në gjak (glukozën), një burim kryesor energjie për trupin dhe trurin. Pa marrë parasysh llojin e diabetit, kjo sëmundje mund të çojë në nivele të larta të sheqerit në gjak, duke shkaktuar probleme serioze shëndetësore, transmeton KLankosova.tv
Sipas statistikave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mbi 400 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga diabeti, dhe shumica e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Çdo vit, 1.5 milionë vdekje janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë sëmundje. Për më tepër, prevalenca dhe numri i rasteve të diabetit kanë treguar një rritje të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit.
Në këtë ditë, QKUK-ja do të prezantojë të dhëna dhe informacione rreth numrit të pacientëve me Diabet Melit, shërbimet që ofrohen në Klinikën e Endokrinologjisë për pacientët me këtë sëmundje, planet dhe rekomandimet për përmirësimin e trajtimit të tyre./Indeksonline/

