BBC-ja kërkon falje për montimin e fjalimit të Trumpit, refuzon kërkesën për kompensim
BBC-ja ka kërkuar falje nga ppresidenti amerikan Donald Trump për një episod të emisionit Panorama, në të cilin pjesë të ndryshme të fjalimit të tij ishin bashkuar, duke krijuar përshtypjen e gabuar se Trump kishte bërë thirrje për dhunë.
Megjithatë, korporata ka refuzuar kërkesën e Trumpit për kompensim financiar, duke theksuar se nuk ka bazë për një padi për shpifje.
Në një deklaratë për publikun, BBC-ja pranoi se montimi i fjalimit krijoi “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë” dhe njoftoi se episodi nuk do të shfaqet më në asnjë platformë.
Kjo çështje ka shkaktuar largimin e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe të kreut të departamentit të lajmeve, Deborah Turness.
BBC-ja gjithashtu ka dërguar një letër personale nga kryetari Samir Shah te Shtëpia e Bardhë, duke shprehur keqardhjen për gabimin editorial të bërë në fjalimin e Trumpit, më 6 janar 2021.
Pavarësisht kërkesës së avokatëve të Trumpit për një kompensim prej 1 miliard dollarësh dhe një tërheqje të plotë të dokumentarit, BBC-ja ka argumentuar se nuk ka pasur dëmtim të drejtpërdrejtë ndaj presidentit dhe se montimi ishte bërë për të përmbledhur një fjalim të gjatë, pa qëllim keqdashës.
Korporata gjithashtu theksoi se pjesa e diskutuar ishte vetëm 12 sekonda brenda një programi njëorësh, i cili përmbante edhe komente në mbështetje të Trumpit.

