Një shtetas i huaj ndalohet në Merdar, dyshohet për prezantim të policave të falsifikuara
Policia e Kosovës ka ndaluar një shtetas të huaj në pikëkalimin kufitar të Merdarit, pasi ai dyshohet se ka prezantuar dy polica sigurimi të falsifikuara gjatë kontrollit kufitar.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, njësitet policore kanë ndalur një kamion me rimorkio me targa të huaja, i drejtuar nga i dyshuari. Gjatë verifikimit, ai ka paraqitur dy polica sigurimi për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Në konsultim me prokurorin kompetent, dokumenti i udhëtimit i të dyshuarit është konfiskuar, ndërsa ai është urdhëruar të paraqitet në prokurorinë e Prishtinës për procedura të mëtejshme ligjore.
Rasti është duke u hetuar.

