75 Mall Live Search
09:31 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / Z S

Kapen mbi 2 kilogramë kokainë në Tiranë, dy të arrestuar

Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Hallka e parë”. Sekuestrohen 2 kg e 235 g. lëndë narkotike Kokainë.

Furnizonin me lëndë narkotike Kokainë, shtetas dhe grupe, për ta ndarë në doza dhe shitur në 2 zona të kryeqytetit, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (kushërinj me njëri-tjetrin), Saimir Nela dhe Armand Nela.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për 2 shtetas që transportonin lënde narkotike Kokainë, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Hallka e parë”

Në kuadër të operacionit, është konstatuar në lëvizje automjeti me të cilin dyshohej se transportohej lënda narkotike. Automjeti, me të cilin lëviznin shtetasit A. N., 34 vjeç dhe S. N., 31 vjeç, është ndjekur nga shërbimet e Policisë, deri në vendin e quajtur “Treshi”, ku është ndaluar për kontroll.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në këtë automjet u gjetën 2 pako me 2 kg e 235 g lëndë të dyshuar narkotike Kokainë dhe 1 pistoletë e dyshuar lodër.

Në vijim të veprimeve procedurale shtetasit A. N. dhe S. N. u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 2 shtetasit furnizonin me Kokainë, shtetas dhe grupe, të cilat e ndanin lëndën në doza, me qëllim shitjen në zonat “Alliasi” dhe “Oxhaku”.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/