Pas reagimit nga ”Plisat”, KB Prishtina del me njoftim të rëndësishëm
KB Prishtina ka dal me një njoftim pas reagimit të tifogrupit ”Plisat”, ku kërkuan ndryshime në kryesinë e klubit.
Në njoftimin e klubit thuhet se javën e ardhshme do të mblidhet bordi, për të diskutuar e vendosur për mbajtjen e Kuvendit në përputhje me normat statutare menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë të këtij gjysmësezoni, qysh në ditët e para të janarit 2026, shkruan IndeksOnline.
KB Prishtina thotë se interesi i klubit dhe tifozëve ”Plisat” është i përbashkët dhe komunikimi duhet të jetë gjithmonë korrekt dhe institucional, me lavdata e kritika edhe të ashpra, por assesi me prishje atmosfere të punës, presione, kërcënime e shantazhe ndaj cilitdo anëtar të klubit.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Prishtinës, përkrahës dhe dashamirë të klubit,
Klubi ynë i zemrës, Sigal Prishtina, ka qenë dhe mbetet simbol i të arriturave sportive dhe standardeve më të larta organizative e menaxheriale në Kosovë dhe më gjerë.
Për shumë vite ky menaxhment, me ndihmën e shumë dashamirëve dhe sponzorëve shumë besnikë, si dhe komunës së Prishtinës, edhe përkundër sfidave e vështirësive, ka drejtuar klubin me vizion, kompetencë dhe përgjegjësi – duke fituar plot 21 trofe për 8 vite në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare (tituj, kupa e superkupa vendore dhe tituj ballkanikë), si dhe të arriturën më të madhe të ndonjë klubi nga Kosova në garat e FIBA me plasmanin në 16 më të mirat e kompeticionit, por edhe me të arriturën tjetër unike që është numri i fitoreve në ndeshje ndërkombëtare – gjithsej 78.
Klubi ynë është i organizuar dhe në gjendje të qëndrueshme financiare, të gjitha detyrimet afatshkurtra janë përmbushur dhe vazhdojnë të jenë në kontroll të plotë. Janë paguar dhe po vazhdojnë të paguhen borxhe përmbarimore që datojnë nga periudha para 20 vjetësh, janë paguar detyrime të mëdha ndaj ATK-së dhe palëve të ndryshme. Këto dhe të tjera kanë rrezikuar shuarjen e klubit, ndërkaq ne shumë herë me forcat tona vetanake e kemi shpëtuar prej më të keqës, me huazime e kursime private, duke marrë kredi personale e madje edhe duke shitur asete pronësore familjare. Bordi punon me integritet, përgjegjësi dhe kompetencë të plotë, duke siguruar se çdo vendim shkon në të mirë dhe interes të klubit dhe të komunitetit që e mbështet. Madje sivjet për dy muaj aktivitet në të gjitha ndeshjet vendore dhe ndërkombëtare ekipi sportiv ka shënuar vetëm fitore të plota, deri para pak ditësh.
Ne gjithmonë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të vendosur të hapim rrugë për energji të reja, duke pritur me ngrohtësi dhe gatishmëri të plotë anëtarë të rinj që ndajnë vizionin tonë: ta çojmë Prishtinën sa më lart.
Duke qenë se interesi është i përbashkët mes klubit, tifozëve dhe Plisave, komunikimi duhet të jetë gjithmonë korrekt dhe institucional, me lavdata e kritika edhe të ashpra, por assesi me prishje atmosfere të punës, presione, kërcënime e shantazhe ndaj cilitdo anëtar të klubit. Prandaj, në këtë frymë bashkëpunimi dhe si rezultat i mirëkuptimit për kërkesat që të ketë energji të reja njerëzore brenda klubit, ju informojmë se bordi do të mbajë gjatë javës së ardhshme një mbledhje për të diskutuar e vendosur për mbajtjen e Kuvendit në përputhje me normat statutare menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë të këtij gjysmësezoni, qysh në ditët e para të janarit 2026, në mënyrë që të mos ndikohet performanca dhe stabiliteti me agjendën e ngjeshur të ndeshjeve në vijim, por edhe të sigurohet kohë e mjaftueshme që Klubi të vazhdojë të luftojë për çdo trofe në pjesën e dytë të sezonit aktual ku janë të përqendruara sfidat kryesore sportive.
Ne duam të jemi të qartë: komunikimi me tifozët, Plisat dhe të gjithë përkrahësit duhet të jetë korrekt, institucional dhe i bazuar në respekt e mirënjohje të ndërsjellë – sepse qëllimi ynë është i përbashkët: lavdia e SIGAL Prishtinës dhe garantojmë se në mesin tonë nuk ka asnjë individ që nuk angazhohet për të mirën e klubit dhe qytetit.
Klubi ynë është i gjallë, krenar dhe i pathyeshëm. Jemi të hapur për t’i mirëpritur të gjithë dashamirët dhe kontribuesit e rinj në pozita drejtuese, e edhe për të lëshuar rrugë, sepse vetëm të bashkuar arrijmë t’i realizojmë qëllimet më të larta për Prishtinën tonë.
Mbi Prishtinën është vetëm qielli – asgjë dhe askush tjetër.

