Dialogu mbetet kusht kryesor për anëtarësimin e Serbisë në BE
Ka kohë që Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takime në Bruksel, në kuadër të procesit për normalizimin e raporteve. Faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka reaguar duke e konsideruar këtë proces me rëndësi për të ardhmen evropiane të të dyja shteteve. E njëjta kërkesë u shtrua edhe në Beograd në kuadër të konferencës vjetore të Grupit të Punës për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për BE-në.
Procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbetet një nga kushtet kryesore që Serbia duhet të përmbushë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pikërisht për këtë temë u mbajt konferenca vjetore e Grupit të Punës për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për BE-në.
Duke folur në hapje të konferencës, ambasadorja e Norvegjisë në Serbi, Kristin Melsom, theksoi se Norvegjia e mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Norvegjia përshëndeti marrëveshjen e arritur në mars të vitit 2023 si një pikë kthese të rëndësishme në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët që të respektojnë angazhimet e marra, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të përkushtohen plotësisht në zbatimin e asaj që është rënë dakord. Norvegjia mbetet një partnere e qëndrueshme dhe e besueshme si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën”, tha ajo.
Përfaqësuesit e Grupit të Punës për Kapitullin 35, që monitoron procesin e dialogut, vlerësuan se dialogu është në një krizë të thellë. Në këtë kontekst, është rihapur edhe çështja e njohjes së Kosovës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se, po të kishte vendosur Serbia sanksione ndaj Rusisë dhe ta njihte Kosovën, do të ishte përpara të gjitha vendeve kandidate për BE. Megjithatë, përfaqësuesit e shoqërisë civile theksojnë se një kërkesë e tillë nuk është zyrtarisht pjesë e procesit të anëtarësimit, edhe pse disa shtete anëtare mund të vendosin kushte politike.
“Një kërkesë e tillë nuk ekziston si kusht formal, megjithëse disa vende anëtare të BE-së mund të vendosin kërkesa politike. Ajo që pritet nga Serbia është zbatimi i plotë i detyrimeve të marra, gjë që Serbia ende nuk e bën. Të përdorësh argumentin e njohjes së Kosovës në kontekstin e integrimeve evropiane nuk është as e saktë dhe as korrekte”, Dragisha Mijaçiq , Koordinator i Grupit të Punës për Kapitullin 35 .
Ekspertët kritikuan gjithashtu Bashkimin Evropian për mospërshtatjen e qasjes negociuese me realitetin aktual.
Ata theksuan se është thelbësore të zbatohen marrëveshjet ekzistuese, sepse normalizimi i marrëdhënieve nuk duhet parë si fitore e njërës palë, por si interes i përbashkët i të dyja vendeve. /rtk

