“Bufi”: Shqiptarët në botë janë më shumë se sa i numërojnë
Në një reagim plot humor e ironi, aktori dhe moderatori i njohur Fatmir Spahiu i njohur si “Bufi”, ka komentuar mbi numrin e shqiptarëve në botë, duke vënë në pah prezencën masive të tyre në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Spahiut, shqiptarët kanë treguar një mobilizim të jashtëzakonshëm në disa ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendore, shkruan Indeksonline.
Ai përmendi mbushjen e stadiumeve në ndeshjet në Slloveni dhe Tiranë, protestën masive në Strasburg në përkrahje të krerëve të UÇK-së, si dhe praninë e madhe në aktivitete kulturore në Kosovë dhe diasporë.
Spahiu shtoi se një pjesë e shqiptarëve janë të pranishëm edhe në destinacione të njohura si Turqia për ndërhyrje estetike, ndërsa të tjerë punojnë në sektorë të ndryshëm si taksi, shitje e gastronomi, ku gjuha shqipe dëgjohet pothuajse në çdo hap.
Ai vuri në dukje edhe aktivitetin e shtuar në rrjetet sociale, ku një postim nga Shtetet e Bashkuara shpesh shndërrohet në një lumë ftesash e reagimesh nga bashkatdhetarët.
Në fund, Spahiu e mbylli me një shaka karakteristike, duke thënë se “dikush po na numëron gabim”, duke vënë në pikëpyetje statistikat zyrtare për numrin e shqiptarëve në botë, dhe duke nënvizuar shpërndarjen e madhe të komunitetit shqiptar në çdo cep të globit.
Nëpërmjet këtij postimi, ai pasqyroi me humor dhe krenari shpirtin e gjallë të diasporës shqiptare dhe prezencën e saj aktive në ngjarje kulturore, sportive e shoqërore./Indeksonline/


