Murati i përgjigjet Ramës: Thesari e ka alokuar buxhetin për dhjetor, Komuna e Prishtinës s’i ka kryer pagesat
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas konferencës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se shumë shërbime rrezikojnë të ndalen të hënën për shkak të bllokimit të buxhetit, për të cilin tha Rama, se po bëhet për shkak të inateve politike.
Murati ka shkruar përmes një postimi në Facebook se të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.
Mirëpo në fund të ditës, ka shkruar ministri në detyrë i Financave se nga Thesari është njoftuar që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.
“Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, ka shkruar ai.

