75 Mall Live Search
20:00 / E Diele, 23 Nëntor 2025 / AR

Sheqerie Buqaj rrëfehet për “Hana”: Një film që prek plagët e heshtura të grave dhe fuqinë për t’u ringritur

Filmi “Hana”, i cili së fundi është pranuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Goa, një prej festivaleve më prestigjioze në gjithë Azinë, po fiton vëmendje ndërkombëtare për temën e tij të thellë dhe humane.

Aktorja kryesore, Sheqerie Buqaj, në një intervistë për Indeksonline ka ndarë emocionet, sfidat dhe përjetimet e saj gjatë këtij projekti që trajton plagë të heshtura të shumë grave.

E lumtur dhe e nderuar, kështu e përshkruan Buqaj momentin kur ka marrë lajmin për pranimin e filmit në Goa.

Shumë e lumtur. Kur mora lajmin që filmi është pranuar në festivalin më të madh në Azi, në Goa të Indisë, u emocionova shumë. Po ashtu, fakti që filmi menjëherë u nominua për çmimin ‘Gandhi’s Award’, një çmim që jepet për filma që trajtojnë paqen, tolerancën, mëshirën dhe barazinë.”

Roli i saj në film ka qenë emocionalisht i ngarkuar, sidomos një skenë që aktorja e quan më të rëndën nga e gjithë xhirimet:

E vështirë te përshkruhen sepse i gjithë filmi dhe te gjitha skenat kanë qenë shumë të vështira, por njëra nga skenat me te vështira ka qene pjesa kur vjen momenti që Sara duhet te luaj veten e saj Hanën, një skenë shumë e vështirë , rikthimi edhe njëherë ne përballje me traumën e saj”.

Buqaj beson thellësisht se mesazhi i filmit është universal dhe i kuptueshëm për çdo publik.

Filmi ka një temë universale: përballja me traumën e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftërave. Edhe pse historia është në Kosovë, kjo tragjedi ndodh në çdo vend ku ka luftëra. ‘Hana’ tregon se si këto gra mund të gjejnë çlirim përmes art-terapisë dhe t’i kthehen jetës. Është një qasje shumë unike dhe besoj që publiku në Indi do ta kuptojë saktë mesazhin.”

Ndër kujtimet më të forta nga xhirimet, aktorja përmend një performancë të vështirë, por shumë mbresëlënëse:

Besom, gati të gjitha skenat kanë qenë të vështira dhe të veçanta. Por performanca me ‘mell’, me balerinat, në një natë shumë të ftohtë dhe me shi, është një kujtim që nuk do ta harroj kurrë.”

Në fund, Sheqerie Buqaj përmbyll rrëfimin e saj me një mesazh që përmbledh fuqinë e këtij filmi:

“‘Hana’ më ka mësuar se brenda njeriut ekzistojnë fuqi të pafund. Nëse jemi të fortë, mund të përballojmë edhe gjërat më të vështira dhe të ecim përpara.

Me temat që prek dhe ndjeshmërinë që përcjell, “Hana” pritet të jetë një nga filmat më të diskutuar të vitit, jo vetëm si vepër artistike, por edhe si thirrje për ndërgjegjësim dhe shërim./Indeksonline/