A është Zhegrova pjesë e listës së Spallettit për ndeshjen Juventus – Bodo/Glimt?
Kriza e dëmtimeve në mbrojtje për Juventusin vazhdon, pasi bardhezinjtë kanë fluturuar drejt Norvegjisë për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Bodo/Glimt pa Gleison Bremer, Daniele Rugani dhe Federico Gatti, mes të tjerëve.
Trajneri i Juventusit, Spalletti, ka publikuar listën e skuadrës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Bodo/Glimt, e cila do të luhet të martën, më 25 nëntor.
Siç pritej, mbrojtësi italian Gatti nuk është pjesë e grupit. 27-vjeçari nuk u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës të hënën në mëngjes dhe, sipas “Ilbianconero.com”, ai nuk është rikuperuar nga gripi.
Ka edhe dy mbrojtës të tjerë në infermieri, Bremer dhe Rugani. Ky i fundit pësoi një dëmtim muskulor javën e kaluar dhe e humbi tashmë ndeshjen e së shtunës kundër Fiorentinës.

Bremer iu nënshtrua një operacioni në menisk në tetor dhe nuk është rikthyer në fushë që atëherë.
Carlo Pinsoglio dhe Arkadiusz Milik janë dy lojtarët e tjerë që mungojnë nga lista e Juventusit.
Milik ka qenë jashtë fushe për një vit e gjysmë dhe nuk është as në listën e UEFA-s për fazën e ligës të Champions League.
Megjithatë, edhe pse nuk po gjen hapësirë në fushën e lojës për Juventusin, ylli dardan, Edon Zhegrova është ftuar për ndeshjen ndaj kampionit të Norvegjisë.
26-vjeçari nuk pati fare minuta në barazimin e Juventusit ndaj Fiorentinës, teksa asnjëherë nuk ka luajtur si startues qëkur u transferua te “Zonja e Vjetër”.
Në total, Zhegrova ka vetëm 79 minuta të luajtura në pesë ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe Serie A.
Nesër, bardhezinjtë vizitojnë Bodo/Glimt, duke kërkuar fitoren e parë në kompeticionin elitë të Evropës këtë sezon.

