75 Mall Live Search
19:38 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / G T

“Askush nuk na besonte…” – Elvis Rexhbeçaj rrëfen emocionet, golin ndaj Suedisë dhe momentin kur vendosi t’i bashkohej “Dardanëve”

Kosova mbylli fazën kualifikuese me paraqitje historike, duke siguruar vendin e dytë dhe duke marrë fitore të mëdha si ndaj Suedisë e Sllovenisë. Ylli i “Dardanëve”, Elvis Rexhbeçaj në një intervistë ekskluzive për Indeksonline.net, flet hapur për rrugëtimin, emocionet dhe vendimet e rëndësishme që e kanë sjellë deri te fanella e Kosovës.

“Askush nuk na besonte në këtë grup përveç vetes sonë,” thotë ai, duke kujtuar ndeshjet dramatike të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.


“Të gjitha përballjet ishin shumë të vështira dhe shumë të ngushta. Ne e dinim që duhej të arrinim kufirin tonë të performancës për të marrë pikë. Tani njerëzit e dinë kush jemi dhe shumë na respektojnë.”

Një nga momentet kyçe të kampanjës të vet lojtarit ishte padyshim goli ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Ai gol ishte i rëndësishëm në atë moment. Të kalonim në epërsi kundër njërit prej favoritëve ishte një ndjesi fantastike dhe vendimtare për ne. Kur u gjenda përballë portierit, nuk mendova shumë — thjesht godita menjëherë brenda sekondave,” kujton ai.

“Dardanët” tani i pret sfida e madhe e play-off-it ndaj Sllovakisë, një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për ëndrrën e Kupës së Botës 2026.

“Ndeshjet e play-off-it janë ndeshje të mëdha dhe ne e kemi merituar të jemi aty. Do të jetë një ndeshje 50/50 – çdokush mund të mposht këdo. Ne do të bëjmë gjithçka për të arritur finalen,” u shpreh mesfushori për Indeksonline.net.

Për atmosferën në stadium, ai pret një mbështetje të fuqishme nga diaspora.

“Mendoj se kudo që të luajmë, shumë nga njerëzit tanë do të jenë aty. Ne gjithmonë mund të mbështetemi te tifozët tanë. Ata vijnë kudo,” shtoi Rexhbeçaj me plotë bindje.

Sa i përket finales së mundshme ndaj Turqisë apo Rumanisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ai zgjedh të mos shkojë shumë larg me mendime.

“Nuk po mendoj për finalen. Ndeshja më e rëndësishme është gjysmëfinalja. Sigurisht, një finale në shtëpi do të ishte një mundësi e madhe për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, por ende nuk jemi aty,” vazhdoi tutje ai.

Në fund, ai sqaron edhe njëherë zërat dhe keqkuptimet rreth ardhjes së tij te Kosova – një temë që është diskutuar gjatë në opinion.

“Shumë është shkruar e thënë, duke pretenduar se unë nuk doja të luaja për Kosovën por për Gjermaninë. Kjo kurrë nuk ka qenë e vërtetë. Ka pasur gjithmonë bisedime. Të gjithë në federatë e dinë pse nuk kam mundur të luaj më herët: do të duhej të dorëzoja pasaportën gjermane.”

Sipas tij, gjithçka ndryshoi me hyrjen në fuqi të ligjeve të reja gjermane për shtetësinë:

“Që nga vera e kaluar ligjet kanë ndryshuar dhe tani lejohet të kem të dyja shtetësitë. Kështu që menjëherë ishte e qartë – do të aplikoj për pasaportën kosovare dhe të vij të luaj për ekipin kombëtar.”


Elvis Rexhbeçaj e ka ndryshuar krejtësisht sistemin e lojës në mesfushën e Kosovës. Ardhja e tij ka qenë në momentin më të mirë dhe të duhur.

28-vjeçari luan në Bundesliga, te skuadra e Augsburgut. Kurse më parë ka qenë pjesë e Wolfsburgut dhe Bochumit./Indeksonline/ Granit Tërstena