75 Mall Live Search
16:15 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / BA

Prokuroria kërkon 1 vit e 8 muaj burg për Chiara Ferragni

Prokurori i përgjithshëm, Eugenio Fusco, dhe prokurori Cristian Barilli kanë kërkuar një dënim prej 1 viti e 8 muaj burg për Chiara Ferragni, e cila së bashku me dy të pandehur të tjerë, po gjykohet në Milano me gjykim të shkurtuar për mashtrim të rënduar, në lidhje me reklamimin e supozuar mashtrues të “Pandoro Pink Christmas” dhe vezëve të Pashkëve.

Sipas prokurorëve, bazuar në hetimet e Guardia di Finanza, gjatë viteve 2021–2022, Ferragni do të kishte mashtruar ndjekësit dhe konsumatorët duke përfituar padrejtësisht nga shitjet e dy produkteve ku çmimi nuk përfshinte realisht bamirësinë e premtuar rreth 2.2 milionë euro.

Influencuesja ka mohuar gjithmonë akuzat:
“Gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë me mirëbesim. Askush prej nesh nuk ka përfituar,” tha ajo në sallën e gjyqit, ku rikonstruktoi ngjarjet, tregoi për karrierën e saj dhe kujtoi disa nisma bamirësie të kryera në të kaluarën.

“Jam optimiste, nuk mund të shtoj më shumë,” u tha gazetarëve ndërsa largohej nga Gjykata.

Chiara Ferragni po përfaqësohet nga avokatët Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana. Seanca e ardhshme, më 19 dhjetor, do t’i dedikohet mbrojtjes, ndërsa vendimi pritet në janar. Sipas avokatëve të saj, Ferragni nuk ka kryer asnjë vepër penale, ka mbyllur tashmë pjesën administrative të çështjes dhe ka kryer donacione për 3.4 milionë euro.

Sot prokurorët kërkuan gjithashtu një vit burg për Francesco Cannillo, president i Cerealitalia-ID, dhe 1 vit e 8 muaj për Fabio Damato, ish-bashkëpunëtor i Ferragni-t.

Ndërkohë, është pranuar kërkesa e “La casa del consumatore” për t’u paraqitur si palë civile, edhe pse shuma e dëmshpërblimit nuk është përcaktuar ende. Avokati i shoqatës, Aniello Chianese, u shpreh se “ka konsumatorë të mashtruar”.