75 Mall Live Search
10:49 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / SH

Fillon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, 26 nëntor 6 dhjetor 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Gjatë kësaj periudhe 11 ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes (1) platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë.

Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

  1. të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;
  2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo
  3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

KQZ sqaron se kjo periudhë e regjistrimit vlenë vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.

Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në Listën e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Çdo qytetarë i Kosovës me të drejtë vote, si brenda dhe jashtë vendit, përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org mund ta kontrollojë adresën e Qendrës së Votimit ku është i caktuar të votojë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.

Informacione shtesë:

Votimi në përfaqësi diplomatike – organizohet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës.

Votimi përmes postës – do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025. Për këtë mënyrë votimi, KQZ do të njoftojë me kohë për adresat e kutive postare në të cilat do të mund ta dërgojnë pakon me fletëvotim.