75 Mall Live Search
20:22 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / Z S

A do të kalojë filtrat e Gjykatës vendimi për shkarkimin e Kelmendit?

Deri në fund të kësaj jave Gjykata Themelore në Prishtinë pritet që të vendos për masën e përkohshme të kërkuar nga Besim Kelmendi, i cili u shkarkua nga pozita e Kryeprokurorit të Shtetit.

Njohësit e sistemit të drejtësisë besojnë se vendimi i KPK-së, nuk do kaloj filtrat e gjykatës sepse është i jashtëligjshëm.

Ky vendim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit tashmë është ankimuar në Gjykatën Themelore te Prishtinës, në departamentin për Çështje Administrative.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Dukagjinin se ka pranuar padinë e Kelmendit dhe propozimin për caktimin e masën e përkohshme.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka pranuar Padinë si dhe Propozimin për Caktimin e Masës së Përkohshme, të paraqitur nga pala B.K”.

Por, bazuar në zhvillimet në KPK-së në ditën kur u bë shkarkimi i Kelmendit, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se vendimi është i kundërligjshëm.

“Është një vendim tërësisht arbitrar dhe i kundërligjshëm, në rastin konkret ky vendim u morr në mbledhje që nuk kishte kourum për të mbajtur mbledhjen e aq më pak për të marr vendime, në këtë situatë ky vendim haptas është i kundërligjshëm sic e kemi thënë edhe në ditën kur është nxjerr, ne pamë publikisht se është mbyllur takimi në mungesë të kourumit dhe më pas anëtarët janë kthyer dhe kanë nxjerr këtë vendim”, ka theksuar Gzim Shala- Hulumtues në IKD.

E sipas avokatit Yll Zekaj, gjykata duhet të veprojë me efikasitet në këtë rast, duke pas parasysh rëndësinë e pozitës në sistemin prokurorial.

“Unë mendoj fuqishëm që ai vendim nuk do të mund të e kalojë filtrin e gjykatës për shkak të procedurave deri në marrjen e vendimit… besoj që nëse nuk do merret deri në fund të kësaj jave, në fillim të javës tjetër do të merret gjithsesi vendimi për masën e përkohshme, masën e sigurisë pastaj cështja e vendimit do të shkojë më gjatë”, ka deklaruar Zekaj.

Kryesuesi Ardian Hajdaraj, një ditë më parë ka mbajtur një konferencë për media, ku ka insistuar vendimi për shkarkimin e Kelmendit është i ligjshëm, tek ka thënë se do respektojnë çdo vendim të gjykatës./Indeksonline/