Vazhdojnë përgatitjet për ta “veshur” kuq e zi Prishtinën, ende nuk janë hapur shtëpizat në shesh
Ndonëse ishte paraparë që gjithçka të ishte gati për t’u festuar 28 Nëntori, por megjithatë edhe sot po vazhdojnë përgatitjet për ta “veshur” Prishtinën kuq e zi e për t’i bërë gati shtëpizat e vendosura në sheshet e kryeqytetit.
Punonjësi Rion Sejdi tha se lajmi për hapjen e mëhershme të shtëpizave ka qenë i vonshëm.
“Po edhe pse na kanë dhënë lajmin për hapjen sezonës pak vonë dhe është hera e parë për neve me shtëpiza këtu, besoj që sot në mbrëmje jemi gati me fillu. Na kanë lajmëru diçka që ka koncert live për festën e 28 nëntorit dhe besoj se ka me shku mirë. Tjetër njoftim nuk kemi prej kryetarit Përparim Rama”.
Sejdiu përmendi se njoftimi ka ardh një javë përpara.“Njoftimi na ka ardh para një jave por çelësat i kemi marr para dy ditë dhe nuk kemi pasë shumë kohë për me rregullu shtëpizën por besoj se sot jemi gati”, shtoi ai.
Ndërkaq punonjësi Fisnik Jahiri tha se janë të gatshëm dhe theksoi se njoftimi prej Kryetarit Rama ka qenë në kohë.
“Jemi të gatshëm qysh dje edhe pse shumica e pjesëmarrësve nuk janë të gatshëm por duke pasur përvojën e herave të kaluara mundemi me fillu nga tani. Prej kryetarit nuk kemi marr asgjë por prej organizatorit kemi marr vesh që sot është një koncert edhe jena të gatshëm me fillu”, tha ai.Jahiri tha se deri në mesditë nuk ka pasur fluks të njerëzve.
“Deri tash nuk ka thuajse hiç njerëz duke pasë parasysh që shumica janë tu punu mendojnë se nuk jemi të gatshëm por besoj se më vonë ka me pas fluks të njerëzve”, theksoi ai.Jahiri shtoi se dekorimi i sheshit për festën e flamurit ka qenë i mangët nga komuna derisa qytetet e tjera dominojnë për nga dekorimi.
“Normalisht duhet me pas organizim prej komunës për me zbukuru sheshin dhe kur ka drita më shumë njerëzit janë të prirë me ardhë me vizitu prej vendeve tjera dhe më shumë janë të zbukuruara qytetet tjera se sa Kryeqyteti edhe fatkeqësisht është kjo”, tha Jahiri.

