75 Mall Live Search
20:19 / E Hënë, 01 Dhjetor 2025 / F.R

Joseph: Serbia është “Moskva” e Rusisë në Ballkan

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, ka thënë se anëtarësimi eventual i Serbisë në NATO do të përbënte “ekuivalentin ballkanik të fundosjes së Moskva-s”, duke e cilësuar Beogradin si “anijen luftarake” përmes së cilës Rusia projekton ndikimin e saj në Ballkan.

Në një intervistë për REL tha se nëse Serbia do të afrohej me NATO-n, kjo do të ishte një goditje strategjike për Moskën, por edhe për Pekinin, të cilët e shohin Beogradin si platformën kryesore të ndikimit në rajon.

Eksperti shtroi pyetjen se pse Serbia do të pranonte një hap të tillë, pavarësisht simpatisë së madhe të brendshme për Rusinë.

Ai renditi disa arsye të forta që, sipas tij, do ta bënin të vështirë për presidentin Aleksandar Vuçiq të refuzonte një ofertë të mundshme amerikane – sidomos nëse vjen nga ish-presidenti Donald Trump.

Së pari, Trump gëzon popullaritet të madh në Serbi dhe shihet si një figurë me ndikim të jashtëzakonshëm.

Eksperti kujtoi se Trump gjatë mandatit të tij të parë u përpoq të ndërmjetësonte normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj njohja e rajonit nuk do të ishte diçka e re për administratën e tij.

Së dyti, Vuçiq është i dobësuar politikisht. Protestat kundër qeverisë kanë vazhduar prej një viti dhe sipas ekspertit, pranim i një plani të tillë do të ndryshonte tërësisht dinamikën e brendshme, duke zhvendosur fokusin nga protestat drejt një “zhvillimi historik”.

Ai shtoi se, ndonëse një pjesë e opinionit prorus do ta konsideronte këtë si tradhti, një pjesë e madhe e opozitës do ta mbështeste, meqë anëtarësimi në NATO nënkupton reforma, afrim me BE-në dhe fund të politikës së “dy karrigeve”.

Eksperti theksoi se Serbia tashmë është e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s, si Bullgaria, Rumania, Kroacia e Mali i Zi, ndërsa edhe Bosnje e Hercegovina ka shprehur gatishmëri për anëtarësim dhe Kosova e dëshiron hapur këtë rrugë.

Ai kujtoi se Serbia ka marrëdhënie të qëndrueshme me NATO-n dhe SHBA-në dhe se bashkëpunimi ushtarak është i konsoliduar.

“Nëse do t’i pyesje privatisht gjeneralët serbë, shumica do të dëshironin anëtarësimin në NATO”, tha ai.

Në pjesën tjetër të analizës, eksperti u ndal edhe te njohja ndërkombëtare e Kosovës.

Sipas tij, Greqia pritet ta njohë Kosovën sapo të nënshkruhet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e lehtësuar më pas rrugën për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën.

Ai theksoi se këtyre shteteve nuk u kërkohet njohje e menjëhershme, por që të mos e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas analizës, brenda tre vjetësh situata në Ballkan mund të ndryshojë rrënjësisht, duke sjellë më pak tensione dhe më shumë bashkëpunim ekonomik e politik në rajon./REL.