Samsung prezanton celularin Galaxy Z TriFold: Risitë e tij me dy palosje
Samsung ka prezantuar zyrtarisht celularin e ri, Galaxy Z TriFold. Kompania tha se pajisja do të dalë në shitje më 12 dhjetor në Korenë e Jugut dhe në Kinë, Tajvan, Singapor dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Për tregun amerikan do të jetë i disponueshëm në tremujorin e parë të 2026, por nuk ka ende një datë të përcaktuar.
Celulari paloset nga brenda për të mbrojtur ekranin kryesor. Nëse është palosur gabim, pajisja dridhet dhe shfaq një njoftim për përdoruesin. Kur hapet plotësisht, TriFold ka një ekran 10 inç dhe ekrani mbulues është 6.5 inç kur paloset.
Ka ngjashmëri me Galaxy Z Fold 7 dhe peshon 309 gramë. Me dy menteshat që ka, Trifold bën që në duar të kesh praktikisht një tablet. Menteshat janë krijuar për t’i rezistuar përdorimit dhe ekrani ka një shtresë të përforcuar.
Trifold funksionon me çipin Snapdragon 8. Kamera e pasme është 12 MP, 200 MP dhe 10 MP, kurse ekrani kryesor dhe i sipërm kanë kamera të përparme 10 MP.
Nuk ka ende një çmim zyrtar, por pritet që të jetë i kripur. Z Fold 7 nis nga 2 mijë dollarë, ndaj mund të duhet të paguani ca më tepër për menteshat e dyfishta.

