Flutura Kusari kundër gjuhës kërcënuese të Sami Kurteshit: Nuk duhet toleruar, gazetarët nuk janë vrasës me pagesë
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas deklaratave të ashpra të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, i cili e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) “aleancë të grupeve kriminale”.
Në reagimin e saj, Kusari thekson se AGK nuk është një grup kriminal, por një organizatë profesionale, e fuqishme dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve.
Ajo shton se gazetarët nuk janë “vrasës me pagesë”, por profesionistë që kanë për obligim të mbajnë pushtetin përgjegjës.
Postimi i plotë :
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk është aleancë e grupeve kriminale, por një organizatë e fuqishme, profesionale dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve.
Gazetarët nuk janë vrasës me pagesë; ata janë njerëz që e kanë për obligim t’i kërkojnë pushtetit llogari.
Ehat Miftaraj dhe IKD-ja nuk e dëmtojnë vendin, por i shërbejnë atij.
Ndërkohë, VV është një parti e specializuar në ngacmimin, denigrimin dhe nxitjen e urrejtjes ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe mediave.
I lus të gjithë ata që i përcjellin mediat të mos bien pre e strategjisë së VV-së për t’i portretizuar mediat dhe aktivistët si armiqtë e shtetit tonë./Indeksonline/

