1 vit burgim me kusht ndaj të akuzuarës për shkaktim të aksidentit ku ishte lënduar një grua
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht të akuzuarën T.Gj., për akuzën se shkaktoi aksident trafiku ku u lëndua e dëmtuara V.H.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Driton Berisha, pasi një ditë më parë e akuzuara pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimit, T.Gj., u dënua me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej 2 vitesh nuk do të kryejë vepër tjetër penale.
Gjykata e obligoi të njëjtën që të paguajë 100 euro për shpenzimet gjyqësore, ndërkaq 20 euro për Fondin për Kompensimin e Viktmave të Krimit.
E dëmtuara V.B., në seancën e kaluar ka deklaruar se nuk do të paraqesë kërkesë pasurore-juridike, andaj nuk u udhëzua nga Gjykata për në kontest juridiko-civil.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, në rrugën “Bardhosh Gërvalla” në Prishtinë, e akuzuara T.Gj., nga pakujdesia derisa ishte duke drejtuar veturën, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor, ku derisa ishte duke drejtuar veturën në shirtin e djathtë, ka ndërmarrë veprimin e ndërrimit të shiritit pa u bindur se me këtë veprim rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe aksidentohet me motoçikletën të cilën ishte duke e drejtuar V.H., e cila po lëvziste në drejtimin e njëjtë.
Aktakuza thotë se si pasojë e goditjes, e dëmtuara humb kontrollin duke u shkëputur nga motoçikleta, me ç’rast është përplasur në shtyllë kurse motoçikleta kalon në shiritat për lëvzije të kundërt. Si pasojë e aksidentit, e dëmtuara ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë, T.Gj., akuzohej për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par. 8 lidhur me par.6 e lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

