Berlini dislokon aeroplanë luftarakë në Poloni për shkak të dronëve rusë
Gjermania ka dislokuar pesë aeroplanë luftarakë Eurofigher dhe 150 pjesëtarë të personelit në qytezën polake të Malborkit, për të ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Polonisë, thanë Forcat Ajrore gjermane më 4 dhjetor, në përgjigje të inkursioneve me dronë rusë në muajin shtator.
Aeroplanët luftarakë polakë F-16, ata holandezë F-35, aeroplanët vëzhgues italianë AWACS dhe aeroplanë të tjerë të NATO-s u ngritën në ajër në një operacion për të rrëzuar dronët që hynë në hapësirën ajrore polake në muajin shtator.
Kjo ishte hera e parë që një anëtar i NATO-s ka qëlluar dronët që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, njofton rel.
Moska mohon se qëndron prapa këtij incidenti, raporton rel.
Aeroplanët gjermanë Eurofighters po operojnë si pjesë e misionit Roja Lindore e NATO-s dhe do të mbesin të dislokuar në Mabork – që gjendet rreth 60 kilometra nga Gdansku dhe 80 kilometra nga enklava ruse e Kaliningradit – deri në mars të vitit 2026, sipas Luftwaffe.
“Me këtë mision, ne po dërgojmë një tjetër mesazh të fuqishëm mbështetjeje për fqinjin tonë Poloninë dhe për NATO-n në tërësi”, tha shefi i Forcave Ajrore gjermane, Holger Neumann.
Gjermania ka dërguar gjithashtu aeroplanë luftarakë Eurofighter në Rumani si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar krahun lindor të aleancës, mes tensioneve në rritje me Rusinë.

