Mediat izraelite: Trump ka gati fazën e dytë të planit të paqes në Gaza! Hamas drejt dorëzimit të arm*ve
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shpallë brenda dy javëve kalimin në fazën e dytë të planit të tij të paqes për Gazën, raportoi televizioni izraelit Channel 12, duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë. Sipas burimit, njoftimi mund të bëhet para Krishtlindjeve, pak përpara takimit të planifikuar midis Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në SHBA.
Sipas raportimit, SHBA dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po zhvillojnë bisedime me Hamasin për një marrëveshje që do ta detyronte organizatën të heqë dorë nga kontrolli në Gaza dhe të nisë procesin e çmilitarizimit, dy pika kyçe të fazës së dytë, të pazgjidhura që nga armëpushimi i tetorit.
Marrëveshja parashikon që Hamasi të dorëzojë fillimisht armët e rënda, si raketa dhe predha, e më pas të heqë dorë gradualisht edhe nga armët e lehta. Pranimi i këtyre kushteve nga Hamasi do të jetë parakusht për fazën e dytë të planit, e cila përfshin edhe tërheqjen e forcave izraelite nga zona të caktuara përgjatë të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”.
Një zyrtar i lartë amerikan tha për Channel 12: “Jemi afër momentit të së vërtetës. Hamasi duhet të vendosë nëse do të heqë dorë nga pushteti dhe të nisë çmilitarizimin në këmbim të tërheqjes së IDF, ose të refuzojë dhe të përballet me pasojat.”
Plani parashikon gjithashtu krijimin e një Këshilli të Paqes të drejtuar nga Donald Trump, i cili do të mbikëqyrë administrimin e Gazës, si dhe formimin e një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi për sigurinë e territorit.
Trump pritet ta drejtojë Këshillin së bashku me rreth dhjetë liderë nga vende arabe dhe perëndimore. Nën Këshill do të funksionojë një komitet ndërkombëtar i udhëhequr nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, si dhe nga këshilltarët e Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të shoqëruar nga figura të tjera globale.
Në nivel operacional, parashikohet krijimi i një komiteti teknokratësh palestinezë me 12–15 anëtarë, të pa lidhur me Hamasin apo Fatahun, të cilët do të merren me administrimin e përditshëm. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Gaza, ndërsa të tjerë pritet të mbërrijnë nga jashtë.

