Qemajl Aliu betohet për mandatin e dytë: Do të jem kryetar i të gjithëve
Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu ka bërë betimin për mandatin e tij të dytë. Në fjalën e tij, ai u shpreh se besimi i dhënë nga qytetarët është një amanet që do ta ruajë me përkushtimin më të madh.
Ai theksoi se vizioni për transformimin e Shtimes do të mbetet prioritet i qeverisjes së tij, duke nënvizuar se çdo vendim do të udhëhiqet nga kujtesa e sakrificës së dëshmorëve, martirëve dhe veprimtarëve të kauzës kombëtare.
“Sot, para jush dhe para flamujve që na bashkojnë me historinë e lavdishme e të ardhmen e ndritshme, dhashë betimin e shenjtë që më buron nga ndërgjegjja e thellë dhe përgjegjësia jonë historike. Besimi që më dhatë për këtë mandat të dytë është amanet që do ta mbaj e ruaj me nderin më të madh. Vizioni ynë për transformim të Shtimes është aspirata jonë që do të vazhdojmë ta realizojmë me patjetër. Busulla e çdo veprimi nga ana jonë do të jetë kujtesa e sakrificës së dëshmorëve, martirëve dhe veprimtarëve të kauzës kombëtare”, ka thënë Aliu.
Kryetari u zotua se politikat dhe projektet e mandatit të ri do të fokusohen në krijimin e mundësive më të mëdha për rininë dhe përmirësimin e perspektivës për brezat që do të vijnë.
“Shtimja është komunë e vogël, por me njerëz të mëdhenj, punëtorë dhe zemërbardhë, që i kanë dalë zot vendit në luftë dhe po i dalin zot edhe në paqe”, tha ai, duke shtuar se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Ai premtoi vazhdim të qeverisjes transparente dhe vendosjen e interesit publik mbi gjithçka, duke theksuar se me besimin e qytetarëve do të përmbushen të gjitha zotimet për një Shtime të zhvilluar dhe thellësisht të transformuar.
Në fund të fjalimit, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme, duke uruar që mandati i ri të jetë i mbarë dhe i suksesshëm për komunën.

