Ed Sheeran flet për krizën në martesën me Cherry
Prej 10 vitesh ndoshta edhe më shumë Cherry Seaborn është muza e Ed Sheeran: inspirim i drejtpërdrejtë i disa prej këngëve të tij më të mëdha, nga “Perfect”, te “Put It All on Me” e deri te më e fundit, “Camera”.
Takimi i parë në gjimnaz, dashuria në vitin 2015, martesa në 2018 dhe më pas lindja e dy vajzave, Lyra dhe Jupiter: mes kantautorit britanik dhe bashkëshortes së tij ka qenë një dekadë intensive, e shënuar jo vetëm nga sukseset, por edhe nga momente shumë të vështira si diagnoza e tumorit të Cherry-t, largësia e gjatë për shkak të turneve dhe një krizë e thellë në çift, të cilën Ed e rrëfen në versionin më të fundit të albumit Play.
Me një njoftim në rrjete sociale, të shtunën më 29 nëntor, Ed Sheeran lajmëroi daljen e versionit “super deluxe” të Play, me plot 14 këngë bonus: “që në vetvete janë si një album më vete, ndaj shpresoj t’i shijoni”, shkroi ai. Këngë me tema, zhanre dhe bashkëpunime të ndryshme, por që siç thotë “që të gjitha bëjnë pjesë në universin e Play”, sepse “kur bëj një album, futem në sa më shumë drejtime të mundem dhe më pas i ndaj, por ndonjëherë i do aq shumë disa këngë, sa thjesht duhet t’i nxjerrësh në dritë”.
Në këtë pjesë të re të albumit ka dhe disa këngë që i referohen hapur një krize martesore – dhe që, sipas tabloidëve britanikë, mund të jenë plotësisht autobiografike.
Në “Problems”, një titull që flet vetë, Ed përdor metaforën e luleve që po thahen për të treguar një dashuri në vështirësi:
“Lulëkuqet në kopshtin tonë po vdesin / Kur u tha uji? Kush e di? Por nëse do të vërtetën, ne s’jemi mirë”,
këndon 34-vjeçari,
“kemi probleme dhe nuk dimë si t’i zgjidhim.”
Siç shkruan Daily Mail, referenca mund të lidhet me tensionet pas Mathematics World Tour, turne trevjeçar që ka vënë seriozisht në provë jetën familjare.
Në “War Game”, ai thotë:
“Çdo ditë ndihemi të shteruar / Përpiqemi të përshtatemi me të gjitha ndryshimet / Me realitetin e asaj që kemi krijuar”,
dhe më pas:
“S’ka askënd sipër teje as poshtë teje, ti je gjithçka që dua / Por e ndjej që nuk mjafton, të ofroj vetëm dashurinë time.”
Ndër vargjet më të forta janë ato ku flet hapur edhe për mundësinë e ndarjes:
“Një hap larg të ndahemi e të vazhdojmë secili / ose jemi të dashuruar, ose jemi të çmendur.”
Janë rrëfime të sinqerta e të zhveshura nga filtri, që ndoshta i përkasin tashmë së shkuarës, por që futen natyrshëm te ulje-ngritjet e çdo marrëdhënieje afatgjatë aq më tepër kur mes dy njerëzve futen fama, karriera globale dhe mijëra kilometra largësi.
Në këngën “Regrets”, tema zhvendoset te atësia. Ed rrëfen dhimbjen dhe fajin që ndjen për kohën e kaluar larg vajzave, për shkak të turneve të gjata jashtë vendit.
“Je shumë e vogël për të kuptuar që babi po kthehet në shtëpi / Sa herë që dal nga dera, ti mendon se jam larguar përgjithmonë / Ndoshta është për shkak të qindra telefonatave ‘natën e mirë’ nëpër telefon”,
shkruan ai.
Dhe vazhdon, me një pyetje që i drejtohet vetes:
“Shiko këtë turne, duhet ta mbaroj, por pse?”
Më pas pranon hapur:
“Kam humbur kaq shumë / Duhet vërtet ta rikuperoj.”
Historia e Ed dhe Cherry-t tingëllon si skenar filmi romantik. Ai djaloshi me ëndrrën e muzikës. Ajo nxënëse shembullore dhe lojtare brilante e hokejit në fushë. Njihen në gjimnaz, në Thomas Mills High në Suffolk. Ajo diplomohet dhe në vitin 2013 zhvendoset në SHBA për një master në Duke University; më pas kalon në New York.
Në vitin 2015, marrëdhënia e tyre kalon nga miqësi në dashuri. Ed është në qytet për një koncert dhe një shoqe e përbashkët organizon një darkë. Një nga takimet e para “zyrtare” në shtëpinë e Taylor Swift, në Rhode Island.
“Ishe në turne dhe pastaj shkova në festën e 4 Korrikut tek Taylor,” ka treguar Ed. “Po i shkruaja Cherry-t dhe ajo më thotë: ‘Jam në Rhode Island për një festë të 4 Korrikut’. Iu përgjigja: ‘Edhe unë’. I thashë Taylor-it: ‘Mund ta ftoj një nga shoqet e mia të vjetra të shkollës?’. Pjesa tjetër është histori.”
Çifti u martua në fshehtësi, në fund të vitit 2018, në një ceremoni shumë të vogël me rreth 40 të ftuar. Vetëm në korrik 2019, Ed Sheeran e konfirmoi publikisht martesën. Në vitin 2020 lindi vajza e tyre e parë, Lyra Antarctica, dhe dy vite më vonë erdhi në jetë Jupiter.
Cherry Seaborn ka lindur më 6 maj 1992 në Suffolk dhe ka një profil akademik shembullor. Pas gjimnazit në Thomas Mills High, ajo zhvendoset në SHBA për të vazhduar studimet. Regjistrohet në master në Duke University, një nga universitetet më prestigjioze në SHBA, ku specializohet në Ekonomi, pa e lënë mënjanë pasionin për hokejin në fushë.
Pasi përfundon studimet, zhvendoset në New York, ku fillon punë në Wall Street për kompaninë e auditimit Deloitte. Në vitin 2016, pas nisjes së lidhjes me Sheeran, Cherry rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar dhe fillon punë në zyrën londineze të së njëjtës kompani, ku qëndron deri në mars 2024.
Gjatë shtatzënisë së saj të dytë, Cherry përjetoi një nga momentet më të vështira. Ed Sheeran e rrëfeu publikisht gjatë prezantimit të albumit të tij Subtract, të dalë në maj 2023.
“Brenda një muaji, gruas sime shtatzënë iu tha se kishte tumor, pa mundësi trajtimi derisa të lindte fëmija,” ka treguar ai. “Ndërkohë, miku im më i mirë Jamal (producenti Jamal Edwards), vëlla për mua, vdiq papritur.”
Siç ka rrëfyer për Rolling Stone, Cherry u operua menjëherë pas lindjes së Jupiter dhe e kaloi periudhën e vështirë me mbështetjen e familjes dhe të Ed-it.
Dhe ndoshta, pikërisht aty, vargjet e vjetra marrin një kuptim edhe më të thellë:
‘Cause we were just kids when we fell in love / Not knowing what it was / I will not give you up this time…

