“Ndeshja e Krenarisë” në Botëror, që përfshinë dy shtetet që kanë ligje anti-LGBTQ+
Një ndeshje e Kupës së Botës 2026, e caktuar nga organizatorët si “Ndeshja e Krenarisë” për komunitetin LGBTQ+, do të përfshijë dy vende ku homoseksualiteti është i paligjshëm.
Komiteti lokal organizues në Seattle, një nga qytetet pritëse për turneun e FIFA-s verën e ardhshme, tha se ndeshja në stadiumin “Lumen Field” më 26 qershor do të përfshijë aktivitete dhe festime për komunitetin LGBTQ+.
Planet për këtë ndeshje u vendosën para se ekipet pjesëmarrëse të zgjidheshin ose të bëhej shorti për Kupën e Botës 2026.
Pas shortit të së premtes dhe shpërndarjes së ndeshjeve të së shtunës, është konfirmuar se loja më 26 qershor në Seattle do të jetë ndeshja e Grupit G mes Egjiptit dhe Iranit.
Në Iran, dënimi maksimal për marrëdhënie homoseksuale është dënimi me vdekje, ndërsa në Egjipt, ligjet e moralit përdoren shpesh për të shtypur të drejtat dhe marrëdhëniet LGBTQ+.
Ky eveniment – i cili organizohet vetëm nga komiteti lokal dhe nuk lidhet me FIFA-n – do të zhvillohet të premten e fundjavës zyrtare “Pride” në Seattle, ku artistët nga shteti i Washingtonit janë ftuar të paraqesin dizajne artistike që festojnë komunitetin LGBTQ+, për t’u ekspozuar rreth ndeshjes dhe qytetit.
Komiteti Këshillues i “Seattle Pride Match”, i krijuar nga organizatorët për të ndihmuar me evenimentin, thotë se ndeshja do të zhvillohet sipas planit.
Një zëdhënës i tha mediumit “LGBT Outsports”: “Pride Match është planifikuar për të festuar dhe nxitur ngjarjet Pride në Seattle dhe në të gjithë vendin, dhe u planifikua shumë më parë. Futbolli ka një fuqi të veçantë për të bashkuar njerëzit përtej kufijve, kulturave dhe besimeve. Jemi të nderuar të presim një Pride Match dhe të festojmë Pride si pjesë e komunitetit global të futbollit. Kjo ndeshje reflekton angazhimin tonë të vazhdueshëm për respekt, dinjitet dhe unitet për të gjithë.”
Kjo nuk është hera e parë që një përpjekje për të mbështetur komunitetin LGBTQ+ në Kupën e Botës has vështirësi.
Në Kupën e Botës 2022 në Katar – i cili gjithashtu ka ligje kundër marrëdhënieve të të njëjtit seks – FIFA tha se lojtarët që mbanin shiritin “OneLove” në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ do të merrnin karton të verdhë.
Anglia dhe Uellsi ishin ndër ekipet që kishin planifikuar ta përdornin shiritin, por vendosën ta anashkalojnë pas vendimit të FIFA-s.

