“Do ta bëjmë Prizrenin edhe më të bukur, ashtu siç e meriton”, betohet Shaqir Totaj
Shaqir Totaj është betuar për mandatin e dytë të tij si kryetar i Komunës së Prizrenit.
Betimin, ai e bëri në mbledhjen e sotme konstituive të Kuvendit komunal të Prizrenit ku u zotua se do t’i përmbushë detyrat për një jetë më cilësore për prizrenasit.
“Në mbledhjen e sotme konstituive të Kuvendit të Prizrenit, u betova për mandatin tim të dytë si kryetar i Komunës së Prizrenit, se do t’i përmbush detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia me nder, besnikëri dhe paanshmëri, me synimin e vetëm për të krijuar kushte për një jetë më të qetë e më cilësore për të gjithë qytetarët tanë”, transmeton Klankosova.tv.
“Falënderoj nga zemra të gjithë votuesit për besimin dhe mbështetjen e dhënë. Zotohem se do të shërbej për të gjithë pa dallim dhe se së bashku do ta bëjmë Prizrenin edhe më funksional, edhe më të bukur, ashtu siç e meriton, përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qytetarin”, tha Totaj.
Po sot, gjatë kësaj mbledhjeje u betuan edhe asambleistët e rinj.
“I uroj përzemërsisht për mandatin e tyre dhe pres që së bashku të çojmë përpara proceset që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në mbarë Komunën e Prizrenit”, shtoi numri një i këtij qyteti.

