Haradinaj përgëzon kryetarët e rinj, dënon heqjen e simboleve të Kosovës në veri
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas betimit të kryetarëve të komunave, duke përgëzuar të gjithë ata që kanë marrë detyrën, me theks të veçantë pesë kryetarët nga radhët e AAK-së. Ai i inkurajoi ata që të vazhdojnë punën në interes të qytetarëve dhe në përputhje me ligjin e Kushtetutën e vendit.
Haradinaj ka shprehur indinjatën e tij ndaj kryetarëve të Listës Serbe në komunat veriore, të cilët, sipas tij, kanë hequr simbolet e Republikës së Kosovës dhe fotografinë e Presidentes.
Ai kërkoi që këto simbole të rikthehen urgjentisht “në vendin që u takon”, ndërsa u bëri thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojnë ndikimin e tyre për t’u siguruar që kryetarët nga komuniteti serb të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punojnë në harmoni me to.

