75 Mall Live Search
11:18 / E Premte, 12 Dhjetor 2025 / KV

Rrëzohet kërkesa për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka vendosur më 11 dhjetor 2025 që dënimi i Haxhi Shalës të mos ulet dhe as të modifikohet, edhe pse ai ka vuajtur dy të tretat e dënimit të shqiptuar ndaj tij.

Për marrjen e këtij vendimi, Kryetarja është konsultuar me gjyqtarët e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, në përputhje me nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe ka marrë parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave.

Në arsyetimin e saj, Trendafilova ka theksuar se Haxhi Shala nuk ka shprehur keqardhje, duke shtuar se çështja e modifikimit të mundshëm të dënimit mund të rishqyrtohet pas dy muajsh.

Nga DHSK-ja bëhet e ditur se procedurat për uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimeve janë procedura individuale, dhe ndonëse një i dënuar, pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit, i plotëson kushtet për shqyrtim, nuk gëzon të drejtë automatike për ulje apo modifikim të dënimit.