75 Mall Live Search
15:08 / E Premte, 12 Dhjetor 2025 / S Z

Hedhet si e pasafatshme ankesa e Shoqatës Down Syndrome Kosova, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka hedhur si të pasafatshme ankesën e parashtruar nga Shoqata Down Syndrome Kosova, lidhur me Udhëzuesin Zyrtar për Procedurat e Votimit me Asistencë, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.5/2025, të datës 05.12.2025.

Në njoftim thuhet se pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Shoqatës Down Syndrome Kosova, lidhur me Udhëzuesin Zyrtar për Procedurat e Votimit me Asistencë, kjo shoqatë, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme. Përmes kësaj ankese, shoqata kërkon që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ), para organizimit të çdo procesi zgjedhor të ardhshëm, të rishikojë dhe harmonizojë Udhëzuesi për Procedurat e Votimit me Asistencë me dispozitat kushtetuese, ligjore dhe me standardet ndërkombëtare që garantojnë të drejtën e votës, duke siguruar që të mos pamundësohet ushtrimi i së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuara.

Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pasaftshme.

Ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës mund të paraqitet brenda dyzet e tetë (48) orëve nga pranimi i vendimit të PZAP-së, në rast se gjoba e përfshirë është më e lartë se pesë mijë euro (5.000 €), ose në rast se çështja lidhet me një të drejtë themelore. Gjykata Supreme e Kosovës vendos në afatin prej pesë (5) ditësh nga paraqitja e ankesës.”.

Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, Gjykata Supreme e Kosovës erdhi në përfundim se ankesa nuk lejohet kundër vendimit të PZAP-së, për arsye se dispozitat e cituara i referohen lejueshmërisë së ankesës të kushtëzuar, përveç tjerash edhe me afatin për paraqitjen e ankesës, i cili është dyzet e tetë (48) orë nga pranimi i vendimit të PZAP-së, për të qenë e lejuar ankesa. Në këtë rast, nga shkresat e lëndës konstatohet se ankesa është paraqitur jashtë afatit ligjor.

Nga shkresat e lëndës konstatohet se vendimin Shoqata Doën Syndrome Kosova, e ka pranuar më datën 05.12.2025 në orën 15:52h., ndërsa ankesën kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e ka dorëzuar në Gjykatën Supreme më datë 08.12.2025 në ora 13:20h, e që rrjedhimisht rezulton se ankesa është dorëzuar pas kalimit të afatit prej dyzet e tetë (48) orëve.