“Integriteti nën llupë”, a është sinjalizimi testi real i institucioneve?
Sot, në ditën e pestë të javës së integritetit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka zhvilluar një diskutim kushtuar sinjalizimit – një prej mekanizmave më të rëndësishëm për mbrojtjen e integritetit dhe forcimin e transparencës në institucionet publike.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.
Buleshkaj shtoi se “Nëse dëshirojmë të ecim me ritme më të shpejta drejt procesit të integrimit, parandalimi i korrupsionit duhet të mbetet vazhdimisht në krye të agjendës”.
“Kemi kaluar katër ditë intensive, duke trajtuar disa nga shtyllat më të rëndësishme dhe kryesore të integritetit të shtetit tonë. Gjatë këtyre ditëve, kemi diskutuar për planet e integritetit si një mjet të brendshëm të vlerësimit dhe forcimit institucional në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, kemi biseduar për parandalimin e korrupsionit, kemi folur për analizën etike të dhuratave dhe kemi trajtuar mënyrat se si të parandalohet konflikti i interesit në arsimin e lartë. Sinjalizimi në Kosovë, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nëse dëshirojmë të ecim me ritme më të shpejta drejt procesit të integrimit, parandalimi i korrupsionit duhet të mbetet vazhdimisht në krye të agjendës. Bashkimi Evropian mbështetet në vlera të përbashkëta si besimi, transparenca dhe sundimi i ligjit, ndërsa sinjalizimi shërben si mbrojtësi praktik i të gjitha këtyre vlerave. Sinjalizuesi nuk është thjesht një detektiv ose hetues; ai është një dëshmitar i guximshëm që shfrytëzon të drejtën ligjore për të mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe kolektiv”, theksoi ai.
Ligjin për parandalimin e korrupsionit, Buleshkaj e ka quajtur një mburojë të pathyeshme kundër hakmarrjes dhe diskriminimit.
Ndërsa, udhëheqës i Divizionit për Sinjalizim në APK, Milot Shala prezantoi një pasqyrë të qartë dhe të detajuar mbi funksionimin e mekanizmit të sinjalizimit në sektorin publik dhe privat.
“Detyra jonë është ta bëjmë mekanizmin e sinjalizimit funksional, të besueshëm dhe të qasshëm për të gjithë, ku çdo shqetësim trajtohet shpejt dhe profesionalisht. Trajnimet dhe ndërgjegjësimi sigurojnë që sinjalizuesit të mos ndihen të izoluar dhe çdo raportim të marrë vëmendjen e duhur. Ky angazhim është thelbësor për të ndërtuar besim dhe integritet brenda institucioneve dhe sektorit privat”, theksoi Shala.
Ndërkaq, nga Inspektorati Qendror i Punës, Rizah Plakolli, theksoi sfidat aktuale të sektorit privat në krijimin e kanaleve të brendshme të sinjalizimit.
Nga përvoja jonë, ende ka sfida të mëdha në këtë drejtim, tha Plakolli
“Nga përvoja jonë, ende ka sfida të mëdha në këtë drejtim. Punëdhënësit shpesh hezitojnë ose improvizojnë, duke caktuar zyrtarë që në njëfarë mënyre veprojnë me servilitet ndaj punëdhënësit, pavarësisht se ne i kemi informuar për bazën ligjore dhe detyrimet e tyre përmes fletushkave informuese.” tha Plakolli.
Gjatë diskutimit të sotëm tematik, kryetari i Oda Ekonomike e Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se Oda, që nga themelimi, ka qenë gjithmonë në mbështetje të bizneseve, duke promovuar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, konkurrencë të drejtë dhe një mjedis të sigurt afarist.
Ai nënvizoi se një sektor publik me integritet krijon kushte që edhe sektori privat të zhvillojë standarde të larta etike. Institucione të përgjegjshme, procedura transparente dhe zbatim i barabartë i ligjit janë themeli i një ekonomie të fortë dhe i një biznesi të ndershëm.

