Kampioni i Evropës me Portugalinë merr vendimin e papritur
Ish-kampioni i Evropës me kombëtaren e Portugalisë, Rui Patricio ka marrë një vendim të papritur.
Gardiani 37-vjeçar ka njoftuar pensionimin e tij nga futbolli, shkruan IndeksOnline.
Ai ndjehet krenar për të arriturat në futboll dhe është i bindur se ky ishte momenti i duhur për të hequr dorën nga futbolli.
“Kjo është një ditë e rëndësishme në jetën time. Ishte koha e duhur për ta bërë këtë dhe jam shumë i lumtur. Mora vendimin për t’u larguar nga futbolli sepse kjo është ajo që dua tani”, tha Rui Patricio.
Portieri portugez po ashtu deklaroi se kishte oferta të reja për të vazhduar të jetë aktiv, por ka vendosur që ti kushtoj më shumë kohë familjes.
“Mund të kisha vazhduar të luaja. Kisha oferta, por doja të ndalesha tani. Fillova shumë i ri, në moshën 18 vjeç, në nivelin më të lartë, dhe tani dua të bëj gjëra të tjera. Ishte një vendim i menduar mirë.
Do të qëndroj i lidhur me futbollin, por tani dua të shijoj atë që më ka munguar gjatë karrierës sime, që është kalimi i kohës me familjen dhe fëmijët e mi. Dua ta shfrytëzoj sa më shumë. Pasi të jem këtu, për shembull, do të shkoj në festën e Krishtlindjeve të fëmijëve të mi, diçka që nuk mund ta bëja më parë”, deklaroi Rui Patricio.
37-vjeçari ka pasur një karrier të jashtëzakonshme, ku ka luajtur për skuadra si Sporting, Wolves, Roma, Atalanta dhe Al Ain, derisa me kombëtaren e Portugalisë ka fituar Kampionatin Evropian në vitin 2016 dhe Ligën e Kombeve në vitin 2019./IndeksOnline/

