Kosova pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Golfit
Kosova pranohet zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF).
Ky vendim shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e sportit të golfit në vendin tonë. Pas shumë vjetësh përpjekjesh të pandërprera, vizioni, këmbëngulja dhe besimi ynë kolektiv janë kurorëzuar me suksesin që e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap dyert drejt ëndrrës olimpike.
Anëtarësimi në IGF nuk është vetëm një status formal – është një dëshmi e rrugëtimit tonë të gjatë.

Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhshme, qindra takimeve ndërkombëtare, mijëra orëve në terren, ndërtimit nga themelet të një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimit të çdo individi që besoi se Kosova mund të jetë pjesë e familjes globale të këtij sporti fisnik.
Një vend të veçantë në këtë histori e zë shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, vizionari që e themeloi golfin në Kosovë dhe i dha jetë këtij sporti në kohë kur pak kush e besonte. Kontributi i tij mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua e gjithë struktura e sotme.
Gjithashtu, një rol të jashtëzakonshëm ka pasur mërgata shqiptare, e cila në çdo hap të rrugëtimit tonë ka qenë forcë shtytëse.
Me përkushtimin, mbështetjen financiare, rrjetëzimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, mërgata ka kontribuar thellësisht në ngritjen e golfit në nivelin ku jemi sot.
Falë tyre, Kosova ka qenë e pranishme në tryezat dhe institucionet ku shpesh nuk ka qenë e lehtë të depërtohet.
Ky sukses është edhe i tyre, i secilit shqiptar që nga larg ka ndihmuar, ka besuar dhe ka kontribuar.
Me mirënjohje të thellë falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) për mbështetjen institucionale dhe për gatishmërinë për ta avancuar golfit në një standard modern dhe kombëtar. Bashkëpunimi me MKRS-në ka qenë esencial për këtë hap historik.
Po ashtu, ky triumf nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të sportit të golfit kudo në botë dhe kontribuesve vendorë që me profesionalizëm e pasion ngritën këtë projekt në nivelin e duhur.
Faleminderit IGF për besimin.
Faleminderit secilit sportist, trajner, administrator, vullnetar, biznes dhe mbështetës të kauzës sonë ndër vite.
Sot Kosova nuk është vetëm një vend që luan golf.
Sot Kosova është një vend që përfaqëson golfin në arenën ndërkombëtare.
Ky është fillimi i një kapitulli të ri: pjesëmarrja në garat botërore, mundësia e përfshirjes në ciklet olimpike, forcimi i infrastrukturës vendore, zhvillimi i talenteve të rinj dhe afirmimi i Kosovës si një destinacion serioz sportiv.
Kosova – Anëtarja e 154-të e IGF-së.
Një ëndërr e bërë realitet.
Një rrugëtim që sapo ka filluar.

