UNAZA E MADHE E DASHURISË/ Georgina Rodriguez flet hapur për dashurinë dhe martesën me Ronaldon
Georgina Rodriguez ka folur hapur për jetën në qendër të vëmendjes dhe lidhjen me Cristiano Ronaldon. Ajo konfirmon se çifti ndodhet në prag të martesës pas gati një dekade bashkë. Dasma pritet të zhvillohet këtë verë në Madeira të Portugalisë.
Georgina Rodriguez, partnerja e yllit të futbollit Cristiano Ronaldo, ka folur hapur për famën, dashurinë dhe dasmën e shumëpritur me futbollistin portugez.
Në një intervistë për revistën “Elle Spain”, Georgina rrëfen se kalimi nga një vajzë e panjohur në një figurë publike ndërkombëtare nuk ndodhi brenda natës, pavarësisht lidhjes me një nga sportistët më të famshëm në botë.
Ajo thotë se fama i ka sjell mundësi të mëdha profesionale, por edhe kufizime në jetën e përditshme, duke e bërë të pamundur të bëjë gjëra të thjeshta si shëtitjet apo daljet pa u vëzhguar.
Georgina ndalet edhe te momenti i njohjes me Ronaldon, duke e përshkruar lidhjen e tyre si diçka që tejkalon fiziken, një ndjesi të pashpjegueshme që i bëri të kuptonin se ishin të destinuar për njëri-tjetrin.
Pas gati dhjetë vitesh lidhjeje dhe pesë fëmijësh, çifti ndodhet tashmë në prag të martesës. Unaza e fejesës, me një diamant gjigant, ka tërhequr vëmendjen e publikut, ndërsa Georgina e quan atë “më të paktën që mund të më jepte” pas viteve të pritjes.
Sipas saj, momenti i propozimit ishte krejt i papritur dhe emocioni aq i madh sa nuk e hapi unazën deri në mëngjes.
Sa i përket ceremonisë, çifti planifikon një dasmë të vogël dhe intime. Mediat raportojnë se ceremonia pritet të mbahet këtë verë në katedralen e Funchal në Madeira, vendlindja e Cristiano Ronaldos, pas përfundimit të Kupës së Botës.

