Tri raste të posedimit të narkotikëve raportohen në burgun e Dubravës
Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të posedimit të paautorizuar të narkotikëve në Qendrën Korrektuese të Dubravës, gjatë periudhës nga fundi i nëntorit deri në mesin e dhjetorit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë është raportuar më 28 nëntor 2025, rreth orës 17:30, kur është hasur një qese me 0.2 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë. Për rastin është njoftuar prokurori kompetent.
Rasti i dytë ka ndodhur më 13 dhjetor 2025, rreth orës 17:45, gjatë një bastisjeje të organizuar në ambientet e Qendrës Korrektuese të Dubravës, ku janë gjetur pesë paketime me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale prej 12 gramësh. Edhe në këtë rast, është njoftuar prokurori.
Ndërkaq, rasti i tretë është raportuar më 15 dhjetor 2025, rreth orës 14:30, po ashtu gjatë një bastisjeje të organizuar, ku janë gjetur sërish pesë paketime me marihuanë, me peshë prej 12 gramësh. Autoritetet kanë njoftuar prokurorin për veprimet e mëtejme procedurale.
Të tri rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorinë përkatëse./IndeksOnline/

