75 Mall Live Search
09:54 / E Shtunë, 20 Dhjetor 2025 / F.R

Sekuestrohet mbi 1 kg kanabis xhelatinë me vlerë 10 mijë euro, arrestohet një 23-vjeçar në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Shape”, në kuadër të goditjes së vazhdueshme të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i këtij operacioni, u sekuestruan 1 kilogram e 54 gramë lëndë narkotike kanabis në trajtë xhelatine, me vlerë të përafërt rreth 10,000 euro, e cila dyshohet se është trafikuar nga Kanadaja.

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe evidentimin e këtyre veprimtarive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan kapjen e poseduesit të lëndës narkotike.

Gjatë veprimeve policore, në rrugën “5 Maji”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi: D. C., 23 vjeç, banues në Dibër.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit të ushtruar në banesë, u gjet dhe u sekuestrua sasia e lartpërmendur e lëndës narkotike.

Hetimet paraprake tregojnë se lënda narkotike është trafikuar nga jashtë vendit, konkretisht nga Kanadaja. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore.