Nga dosjet fizike te ID-ja digjitale, vizioni i Gashit për shëndetësinë
Një nga kritikat më të forta të kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dr. Bujar Gashit ndaj sistemit aktual shëndetësor lidhet me mungesën e një Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH) të mirëfilltë dhe pasojat burokratike që kjo sjell për pacientët.
Ai e përshkroi gjendjen aktuale të digjitalizimit si arkaike, duke theksuar se edhe në vitin 2025, qytetarët e Kosovës ende detyrohen të bartin me vete dosje fizike dhe tufa me letra sa herë vizitojnë mjekun.
Sipas tij, “Basic HIS” që përmendet shpesh, është jofunksional dhe nuk ofron ndërlidhjen e domosdoshme mes niveleve të ndryshme të kujdesit shëndetësor.
“Problemi është që edhe sot, në vitin 2025, në fund të vitit 2025, qytetari i kryeqytetit dhe i çdo qyteti tjetër duhet me pas dosjen me vete për me shku te mjeku, për me i shfletu mjeku problemet tua që kanë ndodhur. Është diskrepancë dhe dallim i madh që para 25 vjetëve edhe para 20 vjetëve, e ke pasur një dosje fizike, po që ka qenë dosje. Dhe ti e ke pasur një numër e kur ke shku me qatë numër, ta kanë gjetur dosjen dhe i ke pasur të gjitha gjërat të shkruara në atë dosje. Sot, mungon edhe ajo. Domethënë, ky është problemi kyç. Pse e thashë se s’mundemi me pas sigurime shëndetësore pa e pas një sistem informativ shëndetësor? Sepse janë të ndërlidhuna, se ai sigurim shëndetësor duhet me u ndërlidh me sistemin informativ shëndetësor…”, tha ai.
Pasojat e kësaj mungese digjitalizimi ilustrohen më së miri me kalvarin që kalojnë pacientët me diabet për t’u pajisur me insulinë. Gashi e quajti procedurën aktuale “malletretim” të panevojshëm.
Për të marrë insulinën mujore, një pacient duhet fillimisht të marrë raportin nga endokrinologu, pastaj të shkojë te mjeku familjar për të hapur kartelën dhe përshkruar recetën, dhe më pas të shkojë në farmaci, shpesh duke u detyruar të bëjë vizita të shumëfishta për një terapi që është kronike dhe e pandryshueshme për periudha të gjata.
Ai propozoi një zgjidhje të thjeshtë: digjitalizimin e procesit ku pacienti me sëmundje kronike të regjistrohet një herë dhe terapia t’i vazhdohet automatikisht pa pasur nevojë për ri-konfirmime mujore që ngarkojnë mjekët dhe lodhin pacientët.
Gashi argumentoi se kjo burokraci nuk i shërben kontrollit, por vetëm tregon paaftësinë e institucioneve për të menaxhuar një sistem të thjeshtë të furnizimit. Zotimi i tij është se kjo procedurë do të eliminohet brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes së re, duke përdorur modele më efikase të menaxhimit farmaceutik që tashmë ekzistojnë pjesërisht por nuk janë integruar siç duhet.
“E kam kërkuar me vite me e heq, për shkak se qytetarit, edhe ashtu, shumica e tyre që janë me diabet tip 2 e që marrin insulina, ata kanë me e përdor gjatë gjithë jetës. Ajo nuk ndryshon. I kam lutë veç me heq këtë procedurë. Së paku qytetari le të vjen veç një herë në institucion, po mos t’i bie dy ditë rradhazi me shku me e marrë. Kjo ka me u eliminu brenda gjashtë muajve të parë të qeverisë Abdixhiku. Për shkak se është maltretim për pacientin. Nuk e ka të nevojshme ai pacient, sepse e kemi një sistem, një SMF, sistemi i menaxhimit farmaceutik, i cili funksionon pak ma mirë sesa ky sistemi tjetër, basic HIS-i që e kemi pjesën tjetër, sepse është më i lehtë dhe më funksional dhe ndoshta më i mirëmbajtur, sepse problemin e kemi mirëmbajtje. Sot një kompani private, mos të përmendi emra, ta ka një sistem funksional gjigant, e niveli qendror, Ministria e Shëndetësisë me gjithë atë buxhet nuk ka arritur me ndërtu një sistem informativ shëndetësor kompakt, i cili të siguron një saktësi”, tha ai.

