Goditje e rëndë për Liverpoolin, Isak thyen këmbën dhe futet në operacion
Alexander Isak i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi theu këmbën në ndeshjen kundër Tottenhamit, konfirmoi Liverpooli. Sulmuesi suedez pësoi frakturë të fibulës në momentin e golit të tij, kur këmba iu ngec mes mbrojtësve. Klubi bëri të ditur se “pas diagnozës, sot u krye një operacion për një dëmtim të kyçit të këmbës që përfshinte një frakturë të fibulës”, duke shtuar se “ende nuk është vendosur një afat kohor për kthimin e tij”.
Isak, i transferuar për një shifër rekord 125 milionë paundë, ka pasur vështirësi për të gjetur vazhdimësinë te Liverpooli, me vetëm dy gola në ligë në 10 paraqitje dhe pa gola në Ligën e Kampionëve. Lëndimi vjen në një moment delikat për ekipin, i cili ndodhet i pesti në renditje dhe është tashmë pa Mohamed Salah për shkak të Kupës së Kombeve të Afrikës.
Në mungesë të Isakut dhe Salahut, barra e sulmit pritet të bjerë mbi Hugo Ekitike-n, që po kalon formë të mirë me tetë gola në ligë. Situata rrit edhe më shumë presionin mbi klubin për të vepruar në afatin e janarit, ndërsa e ardhmja e Salahut mbetet në dyshim.

