KPK-ja anulon konkursin për prokurorët e shtetit, shkak parregullsitë
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të anulojë konkursin dhe procesin e rekrutimit të prokurorëve të shtetit.
Në proces rekrutimi ishin 21 prokurorë, teksa konkursi ishte shpallur me vendimin e KPK-së.
Konkursi, i shpallur më 30 prill, ishte shpallur pas themelimit të Komisionit për rekrutimin e prokurorëve të shtetit, bashkë me Komisionin për rishqyrtim, transmeton IndeksOnline.
Në vendimin e siguruar nga IndeksOnline theksohet se janë konstatuar një mori parregullsish procedurale dhe mospërputhje me kriteret dhe standardet e përcaktuara në rregullore.
“Gjatë shqyrtimit të procesit të rekrutimit të prokurorëve të shtetit, i zbatuar deri më tani, KPK ka konstatuar një mori parregullsish procedurale dhe mospërputhje me kriteret dhe standardet e përcaktuara në Rregullore, të cilat kanë cenuar zhvillimin e rregullt të procedurës dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në barazinë e kandidatëve, integritetin dhe kredibilitetin e tërësishëm të procesit përzgjedhës dhe rekrutimit, parime themelore këto të përcaktuara në n.4 të Rregullores.
Shqyrtimi i këtij propozimi, është kryer në kuadër të detyrimit të përgjithshëm institucional që ka KPK për garantimin e ligjshmërisë, transparencës dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve, në kontekstin e tërësishëm të gjendjes faktike të konstatuar gjatë zhvillimit të kësaj procedure” thuhet në vendim.
Pavarësisht se rekrutimi i prokurorëve të shtetit nuk kishte përfunduar plotësisht, gjetja e parregullsive ka bërë që ky proces të mos vazhdojë tutje, duke e pamundësuar edhe renditjen apo vlerësimin përfundimtar të kandidatëve të paraqitur.
“KPK ka konstatuar se parregullsitë e evidentuara nuk mund të korrigjohen përmes përsëritjes së pjesshme të ndonjë faze të rekrutimit apo përmes masave tjera të pjesshme sanuese, pasi një ndërhyrje e tillë do të krijonte trajtim të diferencuar ndërmjet kandidatëve dhe do të cenonte më tej parimin e barazisë në konkurrim. Për këtë arsye, anulimi i plotë i procesit është vlerësuar si masë e vetme e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale për rivendosjen e rregullsisë procedurale, duke evituar pasojat e një procesi të cenuar” thuhet tutje në njoftim.
Përveç se është anuluar plotësisht procesi i rekrutimit dhe nuk është arritur në fazën e shpalljes së rezultateve preliminare të provimit, kandidatët nuk kanë të drejtë të ankohen ndaj fazave të provimit.
Vendimi shfuqizues, sipas KPK-së, nuk krijon pasoja të dëmshme në të drejtat e kandidatëve./IndeksOnline/

