U gjet bakterie e rrezikshme, hiqet nga tregu ky produkt i qumështi për fëmijë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar se ka hequr nga tregu produktin e qumështit për fëmijë “APTAMIL”.
Ky vendim. sipas AUV ka ardhur pasi është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, raporton IndeksOnline.
“Duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri” , thuhet në njoftimin e AUV.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton opinionin publik se, përmes Komisionit Evropian – Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, si dhe është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu.
Duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt, i shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore. /IndeksOnline/

