OVL UÇK-ja reagon ashpër ndaj Dhomave të Specializuara, pasi nuk i lejuan “Calit” të vizitojë babain
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, pasi këto të fundit nuk i lejuan Salih Mustafës të vizitojë të atin, para se të ndërrojë jetë.
Në një deklarim zyrtar, OVL UÇK-ja thotë se vendimi i Hagës është “i pashpjegueshëm” dhe “johuman”, duke vlerësuar se përbën shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut, shkruan IndeksOnline.
“Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore” thuhet në reagim.
Ky është reagimi i plotë:
OVL UÇK shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.
Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor.
Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale.
Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore.
Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar.
Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja.

