75 Mall Live Search
13:55 / E Premte, 26 Dhjetor 2025 / S Z

Në Kirurgjinë Torakale, realizohet me sukses një ndërhyrje komplekse

Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale shumë komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 × 10 cm.

Pacientja R. B. (1974) ishte trajtuar më parë nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat rezultuan si pasojë e presionit që masa tumorale ushtronte mbi zemrën, duke penguar funksionimin e saj normal.

Pas ekzaminimeve të detajuara radiologjike dhe vlerësimeve mjekësore, u mor vendimi për ndërhyrje kirurgjikale. Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës.

“Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht. Gjendja e pacientes aktualisht është stabile dhe ajo po monitorohet sipas protokolleve standarde të kujdesit post-operativ”, thuhet në njoftim.