75 Mall Live Search
14:54 / E Shtunë, 27 Dhjetor 2025 / F.R

Pas sulmeve ruse në Ukrainë, Polonia ngre në ajër avionët luftarakë

Gjatë natës, forcat ruse nisën një sulm masiv ndaj Ukrainës, duke shkaktuar alarme kundërajrore mbi territorin e saj.

Në përgjigje, Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake ngriti në ajër avionë luftarakë polakë dhe vuri në gatishmëri sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarëve, duke deklaruar se masat ishin të natyrës parandaluese dhe shërbenin për të mbrojtur hapësirën ajrore polake.

“Në lidhje me aktivitetin e aviacionit me rreze të gjatë veprimi të Federatës Ruse, i cili kreu sulme në territorin e Ukrainës, ka filluar operacioni i aviacionit ushtarak në hapësirën ajrore polake”, informoi në një komunikatë Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura.

Për shkak të operacioneve ushtarake, aeroportet në Rzeszow dhe Lublin u mbyllën përkohësisht në orët e para të së shtunës, por trafiku ajror në të dy aeroportet tani ka rinisur.

Pas orës 8:00 të mëngjesit, Komanda njoftoi se operacionet e avionëve polakë dhe të aleatëve kishin përfunduar dhe se nuk kishte pasur shkelje të hapësirës ajrore polake.