Nga Olimpiada te arratisja/ Kush është Ryan Wedding, mbreti i kokainës i mbrojtur nga kartelet e drogës dhe me një shpërblim 10-milionë dollarësh
Ryan Wedding ka sot tre probleme madhore: është në listën e personave më të kërkuar të FBI-së, mbi të peshon një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, dhe krahu i tij i djathtë, Andrew Clark, i njohur si “Diktatori”, ka vendosur të bashkëpunojë me autoritetet amerikane. Megjithatë, Wedding – 44 vjeç, i njohur edhe me nofkën “El Jefe” – duket se është mësuar me rrezikun.
Sipas autoriteteve, ai aktualisht fshihet në Meksikë, nën mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të tij dhe të figurave të lidhura me kartelin e Sinaloas, një nga organizatat kriminale më të fuqishme të trafikut të drogës në botë.
Një jetë që mund të kishte qenë ndryshe
Historia e Ryan Wedding është sa e pazakontë, aq edhe tronditëse. Pas tij fshihet një e kaluar krejt ndryshe nga ajo e një krimineli ndërkombëtar: familje e qetë, arsim i mirë dhe pasion për sportin. Në vitin 2002, ai madje mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Salt Lake City, si anëtar i ekipit kanadez të snowboarding-ut.
Por ajo karrierë sportive rezultoi vetëm një episod i shkurtër. Vetëm pak vite më vonë, Wedding hyri në botën e trafikut të drogës, një zgjedhje që do ta çonte drejt një rruge pa kthim.
Nga burgu te ndërtimi i perandorisë kriminale
Përplasja e parë me ligjin erdhi në vitin 2004, e ndjekur nga një tjetër dënim disa vite më vonë, sërish për trafik droge. Ironikisht, koha në burg u kthye në trampolinë për ngritjen e tij kriminale: aty Wedding lidhi kontakte me një kolumbian që më vonë do t’i hapte dyer kyçe në botën e narkotrafikut.
Pas lirimit në vitin 2011, këto lidhje i mundësuan ndërtimin e një rrjeti të fuqishëm për importimin e kokainës, që shtrihej nga Amerika Latine, përmes Meksikës, deri në Shtetet e Bashkuara.
Dhunë, luks dhe frikë
Sipas hetuesve, Wedding është një figurë dominuese: trupmadh, kërcënues dhe i gatshëm të rrezikojë gjithçka për pushtet. Ai krijoi marrëdhënie me ish-zyrtarë të sigurisë meksikane, bashkëpunoi me kartele droge, grumbulloi pasuri, luks dhe një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh, përfshirë një avokat që kishte për detyrë të “zgjidhte problemet” me çdo kusht.
Sipas raportimeve të New York Times, Wedding dyshohet se ka urdhëruar eliminimin e një dëshmitari kyç në Kolumbi, duke përdorur informacione të blera me para, dhurata dhe favore. Në këtë rrjet përfshiheshin edhe prostituta, bashkëpunëtorë të ndryshëm dhe një vrasës me pagesë i njohur me nofkën “Kim Jong Un”.
Për të identifikuar objektivat, ai shfrytëzonte madje edhe ndikimin e blogjeve kriminale, ku publikoheshin foto dhe informacione sensitive.
Reagimi i FBI-së dhe tradhtia nga brenda
Përshkallëzimi i dhunës e detyroi FBI-në të rrisë shpërblimin dhe të publikojë një dosje të detajuar mbi rrjetin e Wedding, duke zbuluar lidhjet e tij ndërkombëtare, përfshirë pastrimin e parave në Evropë. Prokurorët federalë theksojnë se paratë e drogës pastroheshin edhe përmes shitjes së makinave luksoze, duke përdorur koncesionarë krejtësisht të ligjshëm.
Një goditje vendimtare për organizatën erdhi nga Andrew Clark, bashkëpunëtori i tij më i besuar. I arrestuar në Meksikë në vitin 2024 dhe i ekstraduar në SHBA, Clark ka vendosur të flasë, duke ofruar informacione të gjera dhe të detajuara për aktivitetet e bandës.
Presioni rritet, arratisuri ende në kërkim
Ditët e fundit, autoritetet meksikane njoftuan sekuestrimin e dhjetëra motoçikletave, armëve, dokumenteve dhe objekteve personale të lidhura me Wedding, gjatë bastisjeve në disa banesa. Njëkohësisht, është publikuar edhe një foto e tij e kohëve të fundit, me shpresën se dikush do ta njohë dhe do të ndihmojë në kapjen e tij.
Me një shpërblim milionash në lojë, hetuesit shpresojnë që frika të mos jetë më e fortë se tundimi për të folur. Por për momentin, Ryan Wedding mbetet i lirë, një nga figurat më të rrezikshme dhe më enigmatike të botës së krimit ndërkombëtar.

