Milan ‘i pamëshirshëm’ me ‘sniperin’ Pulisic; amerikani, 1 gol çdo 2 gjuajtje
Konkretizimi është një prej pikave të forta të futbollit të Massimiliano Allegri. Një prej shtyllave të filozofisë së trajnerit livornez është: mjafton një top për të vendosur fatin e një ndeshjeje dhe Milani i këtij sezoni e ka mësuar mjaft mirë leksionin e Allegrit. Kuqezinjtë janë ndër më efikasët në kampionatin italian të futbollit.
Në 5 nga 16 ndeshjet e zhvilliara në Serie A, Milani ka gjetur golin që në tentativën e parë drejt portës së skuadrës kundërshtare: Saelemaekers kundër Napolit dhe Parma, Rafa Leao kundër Pisas, Ricci kundër Atalantës dhe Rabiot kundër Torinos.
NË KRYE PËR PËRQINDJEN REALIZUESE
Një rendiment që i siguron Milanit një përqindje realizuese prej 12.6%, më e mira në Serie A. Kurioze është që ky vend i parë ndahet me një tjetër skuadër, Interin. Dy qasje të kundërta që cojnë te i njëjti rezultat; në fakt zikaltrit mbajnë pseudonimin e shpërdoruesve dhe kryesojnë klasifikimin e shanseve të humbura, 30. Por numri më i lartë i golave të shënuar në krahasim me Milanin (+8) bën që përqindja e efikasitetit të jetë e njëjta si ajo e Milanit
Nuk është rastësi që e dhëna më e pabesueshme e efikasitetit të Milanit lidhet me Cristian Pulisic; Captain America në këtë sezon ka shënuar 8 gola në 11 gjuajtje drejt portës duke përfshirë edhe kthimet e topave ky numër shkon në 16. Një ‘çmenduri’ statistikore; amerikani gjen golin në çdo dy gjuajtje me një përqindje 50%, që rritet akoma më shumë nëse merren në konsideratë vetëm gjuajtjet brenda kuadratit të portës, 73%. Një nivel saktësie ky që barazohet vetëm nga Hojlund i Napolit me 73.3%. Por shifrat e Pulisic janë akoma më impresionuese nëse merren në konsideratë edhe minutat e luajtura. Pulisic këtë sezon është përballur me disa probleme fizike; nga 1440 minuta totale në Serie A, amerikani është aktivizuar në 595. Asnjë futbollist me të paktën 10 kontribute për gol(8 gola dhe 2 asist) nuk ka luajtur kaq pak minuta. Duke bërë një raport të golave të shënuar me minutazhin e aktivizimit, Pulisic rezulton se ka shënuar gol çdo 74 minuta.

