75 Mall Live Search
11:55 / E Martë, 30 Dhjetor 2025 / Z S

Policia ‘blindon’ Tiranën për festimet e Vitit të Ri

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ndërmarrë masa të forta sigurie për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së festimeve me rastin e ndërrimit të viteve.

Masat po zbatohen në të gjithë territorin e Tiranës dhe janë pjesë e një plani të posaçëm të hartuar nga Policia e Shtetit.

Janë shtuar efektivët me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjitha zonat urbane, veçanërisht në zonat me fluks të lartë qytetarësh. Janë vendosur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Tiranës, si dhe janë shtuar patrullimet e lëvizshme për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të rritur sigurinë.

Kontrollet në qarkullimin rrugor janë intensifikuar, me patrullime dhe përdorim të mjeteve inteligjente, për të parandaluar aksidentet, sidomos në akset kryesore urbane dhe interurbane.

Policia po kryen gjithashtu kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që shesin ose posedojnë lëndë piroteknike, si fishekzjarre dhe kapsolla, për të shmangur rreziqet dhe ngjarjet aksidentale.

Prania e Policisë është rritur në sheshe publike, pedonale, shëtitore, objekte kulti, ambiente argëtimi, lokale nate dhe qendra tregtare, për të garantuar zhvillimin e qetë të festimeve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me Policinë, për mbarëvajtjen në këto ditë festash.