75 Mall Live Search
13:46 / E Mërkurë, 31 Dhjetor 2025 / MSH1

Osmani viziton fëmijët në Hemato-Onkologji: Shpresa nuk shuhet kurrë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar fëmijët që po trajtohen në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, në ditën e fundit të këtij viti, duke përcjellë mesazhe shprese, solidariteti dhe mbështetjeje për ta dhe familjet e tyre.

Gjatë vizitës, Presidentja u takua me fëmijët që po përballen me sëmundje të rënda, si dhe me prindërit e tyre, duke theksuar se guximi i këtyre fëmijëve dhe dashuria e familjeve të tyre janë frymëzim për gjithë shoqërinë.

Ajo theksoi se, edhe pse koha në këto ambiente ecën më ngadalë, shpresa mbetet e fortë dhe e palëkundur.

“Uroj që viti që vjen të sjellë shëndet, shërim, gëzim dhe mrekulli të vogla e të mëdha për këta fëmijë të jashtëzakonshëm dhe për familjet e tyre!” deklaroi presidentja.

Ky është postimi i plotë i saj:

Në ditën e fundit të këtij viti, aty ku forca matet me buzëqeshje të vogla dhe guximi me zemra të mëdha, vizituam fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë. Aty koha ecën më ngadalë, por shpresa rreh më fort.

Në prag të Vitit të Ri, ata na kujtuan se shpresa nuk shuhet kurrë dhe se dashuria është forca më e madhe shëruese.

Falënderim i veçantë për stafin e mrekullueshëm të klinikës, të cilët bëjnë punë të jashtëzakonshme.

Uroj që viti që vjen të sjellë shëndet, shërim, gëzim dhe mrekulli të vogla e të mëdha për këta fëmijë të jashtëzakonshëm dhe për familjet e tyre!