Kurti flet për kabinetin e ri qeveritar dhe procesin e zgjedhjes së presidentit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e qeverisë së re.
Gjatë vizitës së tij në KEK, i pyetur për emrat e ri në qeverinë e re, tha se i nevojitet një konfirmim nga Kryesia e Vetëvendosjes se a do të jenë i njëjtë si në legjislaturën e nëntë.
“Na duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve. Na duhet një mbledhje në Kryesi të Vetëvendosjes, sepse qartazi propozimet tona i kemi pasur për legjislaturën e nëntë tash të dhjetën kur t’i marrim rezultatet nuk ndryshon programi dhe orientimi. Do të jetë përbërja identike nuk mund ta them dot tash. Edhe nëse është e kërkon një rikonfirmim.. Nuk besoj që mund të ketë ndryshime të mëdha”, tha Kurti.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes në prill të vitit 2026, Kurti tha se do të takohet në ditët në vijim me presidenten aktuale Vjosa Osmani që të diskutohen mundësitë, duke theksuar se duhen 80 deputetë të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit apo presidentes është hapi i tretë. Një herë është konstituimi i Kuvendit, formimi, pastaj vjen dhe ajo. Por para se të bëjmë çfarëdo, besoj se do të kemi një takim me presidenten aktuale Vjosa Osmani dhe do diskutojmë cilat janë shanset dhe mundësitë përpara, sepse na duhet të qëndrojmë 80 veta në sallë. Mund të duket më e lehtë pas rezultatit të 28 dhjetorit”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49.41 për qind dhe pritet t’i ketë 56 deputetë (pa votat e diasporës dhe me kusht).

