75 Mall Live Search
10:45 / E Enjte, 01 Janar 2026 / G T

Chelsea në kërkim të pasardhësit të Marescas: Emra të mëdhenj në listë

E ardhmja e Enzo Marescas në stolin e Chelseat duket gjithnjë e më e pasigurt. Trajneri italian pritet të shkarkohet gjatë ditëve në vijim, pas një serie rezultatesh zhgënjyese që kanë rritur presionin nga tifozët dhe drejtuesit e klubit londinez.

Drejtuesit e Chelseat kanë nisur tashmë sondazhet për një pasardhës të mundshëm, ndërsa në listë gjenden disa emra të njohur të futbollit europian, shkruan Indeksonline

Një nga opsionet më romantike për tifozët është John Terry, legjendë e klubit dhe ish-kapiten i “Blues”, i cili megjithëse ka pak përvojë si trajner kryesor, gëzon respekt të madh në “Stamford Bridge”. Po ashtu, Frank Lampard, i cili ka drejtuar Chelsean në të kaluarën, mbetet një alternativë e njohur, edhe pse eksperiencat e tij të fundit kanë qenë të paqëndrueshme.

Në listë spikat edhe emri i Xavit, ish-trajnerit të Barcelonës, i njohur për filozofinë e tij të lojës dhe përvojën në menaxhimin e yjeve. Një tjetër profil shumë i vlerësuar është Julian Nagelsmann, aktualisht një nga trajnerët më të kërkuar në Europë.

Nga Premier League, Chelsea po monitoron Andoni Iraola, i cili ka lënë përshtypje pozitive me stilin agresiv dhe intensiv të lojës, si dhe Marco Silva, i vlerësuar për stabilitetin dhe organizimin taktik. Ndërkohë, Oliver Glasner, i njohur për sukseset e tij në Gjermani dhe Europë, shihet si një opsion serioz për një projekt afatmesëm.

Një tjetër emër interesant është Cesc Fàbregas, ish-mesfushori i Chelseat, i cili sapo ka nisur karrierën si trajner.

Vendimi përfundimtar pritet të merret shumë shpejt, teksa Chelsea synon të shmangë një tjetër sezon pa objektiva të qarta. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e stolit blu./Indeksonline/