Babë e bijë në shërbim të Policisë së Kosovës: Histori krenarie dhe përkushtimi
Një histori e veçantë përkushtimi dhe vazhdimësie vjen nga radhët e Policisë së Kosovës, ku babë e bijë shërbejnë së bashku për rendin dhe sigurinë publike. Hetem Pireva dhe vajza e tij, Valbonë Pireva, janë shembull i lidhjes familjare të ndërtuar mbi vlera atdhetare dhe profesionale.
Hetem Pireva është pjesëtar i Policisë së Kosovës tash e 25 vite. Ai ka theksuar se para luftës ka qenë pjesëtar i UÇK-së, ndërsa shërbimi ndaj vendit ka mbetur mision i pandryshuar edhe pas luftës. Sipas tij, uniforma policore përfaqëson krenari të madhe dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe shtetit.
Ndërkohë, Valbonë Pireva i është bashkuar Policisë së Kosovës në vitin 2024. Ajo ka treguar se dita e parë kur veshi uniformën ishte e mbushur me ndjenja krenarie dhe besimi, duke e konsideruar shërbimin në polici si një mision fisnik dhe përgjegjësi të madhe.
Historia e familjes Pireva pasqyron vazhdimësinë e përkushtimit brez pas brezi dhe dëshmon se shërbimi ndaj vendit mbetet vlerë që trashëgohet.

