Dubrovnik: Një burrë humb jetën pasi valët e forta e tërheqin në det
Një tragjedi ka ndodhur sot në Dubrovnik, ku një burrë ka humbur jetën pasi u mbyt në det nën muret e qytetit të vjetër. Pas më shumë se tre orësh operacion të gjatë dhe jashtëzakonisht të vështirë kërkim-shpëtimi, trupi i tij u nxor nga deti i trazuar në zonën Buzhi, raporton “Dubrovacki dnevnik”.
Sipas informacioneve të deritanishme, viktima ishte shtetas i Bosnjë dhe Hercegovinës, i cili po fotografohej me familjen mbi shkëmbinj, kur valët e fuqishme e tërhoqën në det, transmeton Klankosova.tv.
Njoftimi për aksidentin u pranua nga shërbimet kompetente rreth mesditës, ndërsa në vendngjarje dolën menjëherë Kapitania e Portit, policia dhe shërbimi i shpëtimit malor (HGSS). Operacioni i nxjerrjes së trupit ishte tejet i vështirë për shkak të motit të stuhishëm dhe valëve që arrinin mbi pesë metra lartësi. Trupi u lokalizua rreth 400 metra larg gjirit të Pilës.
Kapiteni i portit, Mato Kekez, konfirmoi përfundimin e aksionit. “Pas disa përpjekjesh, shpëtimtarët arritën që në orën 13:35 ta nxjerrin trupin nga deti”, deklaroi ai për “Dubrovacki dnevnik”.
Ndonëse në disa media u raportua se kërkimi ishte ndërprerë pas dy orësh, kjo nuk ishte e vërtetë. Shpëtimtarët vazhduan për më shumë se tre orë, duke dhënë maksimumin në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme. Në aksion u përfshi edhe qytetari Dominko Radiq, i cili mbërriti i pari në vendngjarje me barkën e tij, por pas gati dy orësh përballje me valët, u detyrua të tërhiqej për arsye sigurie.
Rrethanat e sakta që çuan në këtë tragjedi do të përcaktohen pas procedurave të mëtejme nga autoritetet përkatëse.

